Krimi zgjedhor vazhdon edhe sot në Greqi, teksa procesi i votimit për drejtuesit lokalë vijon në të gjithë vendin.
Një kandidatë për Këshillin Bashkiak në Kalithea të Athinës ka intimituar zgjedhësit jashtë qendrës së votimit. Në një video të siguruar nga Top Channel, kandidatja duket teksa i jep votuesve fletë votimi të plotësuara, ndërkohë që mundohet të mos vihet re nga policët.
Ndërkohë, korrespondenti Artur Bibe raporton se dy kandidatë për këshillin bashkiak të Triandrias së Selanikut janë vënë në pranga. Ata u kapën duke shpërndarë fletë të plotësuara votimi.
Një ditë më parë, tre persona u arrestuan dhe katër të tjerë u shpallën në kërkim për krimin e blerjes së votës në zonën e Karditsës.
Sipas informacioneve nga policia arrestimi është kryer pas një denoncimi, sipas të cilit tre të arrestuarit dhe një nga të kërkuarit kishin blerë 500 karta identiteti kundrejt tarifës 50 euro secila, me ndërmjetës që u jepnin këto para zgjedhësve të tyre, tre personat që janë shpallur në kërkim.
Nga kontrollet e kryera në banesa, janë gjetur dhe konfiskuar shënime të shkruara me dorë dhe shuma totale prej 25 950 euro.
9.7 milion grekë kanë të drejtë vote për të zgjedhur drejtuesit e rinj lokal. Janë 1222 formacione lokale që pretendojnë këshillat e 332 bashkive të vendit, ndërsa 78 të tjera luftojnë për 13 qarqet e Greqisë, 12 prej të cilave mbahen nga konservatorët në fuqi, të cilët shpresojnë të fitojnë edhe qarkun e Kretës.
Fituesit marrin mandatin e tyre 5 vjeçar në 1 janar 2024. Të drejtë vote kanë të gjithë qytetarët që kanë mbushur moshën 17 vjeç dhe janë të regjistruar në listën zgjedhore të bashkisë. Edhe kësaj here nuk mungojnë në listat e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë apo qarku shtetasit shqiptarët që kanë të drejtë vote në Greqi. Kutitë hapen në orën shtatë të mëngjesit dhe mbyllen pas 12 orësh, ndërsa rreth orës 9 të mbrëmjes ora lokale do të fillojnë të dalin rezultatet e para.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Top Channel