Vendosni fjalën kyçe....

Vasili: Rënia e çmimit të naftës në bursa nuk reflektohet në Shqipëri, qeveria i vjedh çdo çast qytetarët


Nënkryetari i Partisë së Lirisë Petrit Vasili nëpërmjet një reagimi në rrjetet socilae është ndalur tek çmimi i naftës në vend.

Vasili shkruan se në të gjitha bursat çmimi i naftës ka rënë dukshëm, por në Shqipëri nuk ka ulje dhe kjo sipas tij është fytyra e qeverisë që vjedh çdo çast qytetarët.

Ai thotë se deputetët e PS-së janë pjesë e vjedhje shtetërore që iu bëhet qytetarëve, prandaj rrëzuan Projektligjin e Partisë së Lirisë për heqjen e dy taksave nga nafta dhe uljen e çmimit të saj.

 

POSTIMI I PLOTË

Çmimi i naftës, fytyra e qeverisë që vjedh çdo çast qytetarët!

Çmimi i naftës ka rënë dukshëm në të gjitha bursat.

Këtë javë, Brent ra me rreth 11 për qind, ndërsa ËTI shënoi një rënie prej më shumë se 8 për qind.

Ndërsa në Shqipëri kjo ulje e çmimit të naftës nuk duket gjëkund dhe çmimi qëndron rreth 200 lekë litri.

Qeveria dhe oligarkët që kontrollojnë monopolin e naftës spekulojnë haptas mbi kurrizin e qytetarëve.

Aktualisht çmimi i naftës në Maqedoni është vetëm 147 lekë litri me një diferencë të madhe nga çmimi krahasuar me Shqipërinë.

Qeveria e mbron hapur spekulimin me çmimin e naftës dhe i krijon hapësira pa fund asaj duke përfituar ajo vetë nga kjo grabitje, që iu bëhet qytetarëve.

Deputetët rilindas janë pjesë e të njëjtës vjedhje shtetërore që iu bëhet qytetarëve.

Ndaj deputetët rilindas në Kuvend rrëzuan Projektligjin e Partisë së Lirisë për heqjen e dy taksave nga nafta dhe uljen e çmimit të saj.

Çmimi spekulativ i naftës tregon qartë se qeveria është peng i interesave korruptive më të errëta dhe plaçkitja e qytetarëve është i vetmi qëllim që ajo ka.