Vendosni fjalën kyçe....

Trupat e viktimave në Gaza po ruhen në kamionë frigoriferikë akulloresh – NY Post


Zyrtarët shëndetësorë në Rripin e Gazës të drejtuar nga Hamasi i kanë vendosur trupat e të vrarëve nga sulmet ajrore izraelite brenda kamionëve të akulloreve, ndërsa numri i të vdekurve në luftën Hamas-Izrael vazhdon të rritet, shkruan NY Post.

Numri i të vdekurve në Gaza arriti në mbi 2670, me një të katërtën e të vdekurve fëmijë, tha Ministria e Shëndetësisë palestineze. Gati 10,000 të tjerë janë plagosur, thanë zyrtarët. Autoritetet në Gaza thanë se sulmet ajrore izraelite kishin vrarë më shumë se 2,300 njerëz, me afro 10,000 të plagosur deri më tani. Spitaleve po u mbarojnë furnizimet dhe mezi po përballojnë numrin në rritje të të plagosurve.

Hakmarrja e ashpër e Izraelit ndaj sulmit të papritur të fundjavës së kaluar, më vdekjeprurësi që ka parë në rreth 50 vjet, ka çuar në kundërsulme agresive në Rripin e Gazës.

“Morgu i spitalit mund të mbajë vetëm 10 trupa, kështu që ne kemi sjellë kamionë ngrirës akulloresh nga fabrikat e akulloreve për të ruajtur numrin e madh të dëshmorëve,” tha Dr. Yasser Ali nga Spitali ‘Shuhada Al-Aksa’.

Kamionët ngrirës, ​​anët e të cilëve ende shfaqin pamje reklamuese të fëmijëve të buzëqeshur teksa shijojnë akullore, dikur përdoreshin për të bërë dërgesa në supermarkete.

Meqenëse varrezat kanë filluar të mbushen dhe mbërritja në spitale është bërë shumë e rrezikshme, kamionët tani shërbejnë si morgje të improvizuara.