Vendosni fjalën kyçe....

Bankat fshinë 1 miliard lekë kredi të humbura nga bilancet në 6-mujorin e parë


Sektori bankar fshiu nga bilancet rreth 1 miliard lekë kredi të humbura në gjysmën e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, procesi i nxjerrjes së kredive jashtë bilanceve ka vazhduar, por me ritme më të ngadalësuara, afërsisht në gjysmën e vlerës së fshirë gjatë gjashtëmujorit të mëparshëm.

Gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit (qershor 2022-qershor 2023) janë fshirë rreth 3 miliardë lekë kredi të humbura dhe 2/3 e këtij vëllimi lidhet me kredi të marra nga bizneset vendase.

Vlera e kredive të fshira në periudhën e fundit ishte sa 2.4% e tepricës së përgjithshme të kredive me probleme në portofolin e bankave në fund të muajit qershor 2023, ndërkohë që për gjashtëmujorin e kaluar ky raport ishte 6.1%.

Fshirja e kredive të humbura të sektorit bankar nisi në përmasa të konsiderueshme në vitin 2015, kur hyri në fuqi detyrimi i vendosur nga Banka e Shqipërisë për të nxjerrë jashtë bilanceve kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh.

Fshirjet dhanë një ndikim shumë të rëndësishëm në uljen graduale të raportit të kredive me probleme të sektorit bankar, që në atë periudhë kishte arritur në kufijtë e 25%.

Nxjerrja e kredive jashtë bilancit është një operacion që bëhet me qëllim uljen e raportit të kredive me probleme të bankave, por, megjithatë, ajo nuk ka ndonjë impakt në performancën e tyre financiare.

Kreditë e klasifikuara si të humbura duhet detyrimisht të provigjionohen në masën 100%, çka nënkupton njohjen e plotë të humbjeve prej tyre në bilanc qysh para fshirjes. Nxjerrja e një kredie të humbur jashtë bilancit gjithashtu nuk nënkupton heqjen dorë nga procesi ligjor i mbledhjes dhe rekuperimit të saj.

Në përpjekje për të nxitur pastrimin e mëtejshëm të portofoleve, Banka e Shqipërisë në vitin 2020 vendosi shkurtimin e afatit për nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të humbura në dy vjet, nga tre vjet që kishte qenë më parë. Gjatë periudhës janar 2015 – qershor 2023, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre rreth 80 miliardë lekë.

Këtë vit, cilësia portofolit të kredisë së sektorit bankar ngelet në nivele të përafërta me vitin e kaluar, pavarësisht një rritjeje ekonomike më të ngadaltë dhe normave më të larta të interesit.

Në fund të muajit gusht, raporti i kredive me probleme të sektorit ishte nivelin 5.3%, nga 5.2% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Frenimi i rritjes së normave të interesit në Lekë ka bërë që treguesit benchmark (kryesisht yield-i i bonove 12-mujore) të ulen krahasuar me gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Kjo ka frenuar edhe shtrenjtimin e kredive në Lekë.

Nga ana tjetër, forcimi i Lekut në kursin e këmbimit me Euron duket se ka luajtur një rol pozitiv në forcimin e aftësisë paguese të huamarrësve që kanë kredi në monedhën europiane dhe të ardhura në Lekë. Ky forcim ka balancuar dhe tejkaluar rritjen e normave të interesit të kredive, duke kontribuar në ruajtjen e cilësisë së portofolit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor