Teksa në Tiranë po mbahet një samit në kuadër të procesit të Berlinit, ne kryeqytetin kinez zhvillohet forumi i tretë ‘Brez dhe Rrugë’ ku do të marrë pjesë edhe presidenti rus Vladimir Putin.
Edhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe delegacioni i qeverisë së Serbisë, janë nisur këtë të hënë për në Pekin për të qenë të pranishëm në këtë forum. Presidenti i Serbisë deklaroi se vizita në Kinë është shumë e rëndësishme në momente që nuk janë aspak të lehta.
Vuçiç paralajmëroi takime dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme me Kinën, si dhe takime dypalëshe me presidentin kinez Xi Jinping. Udhëheqësit, përfaqësuesit dhe delegacionet nga më shumë se 140 vende, duke përfshirë Lindjen e Mesme pritet të takohen në kryeqytetin kinez për mbledhjen dy-ditore.
Ne vitin 2013 Kina rriti shpenzimet e saj, pas propozimit të udhëheqësit Xi Jinping për krijimin e asaj që ai e quajti nisma “Një Brez Një Rrugë”, një projekt që parasheh investime infrastrukturore në vende në zhvillim. Vëzhguesit thonë se strategjia e Kinës mund të jetë ndikimi politik në vendet ku janë shtrirë investimet e saj.