Vendosni fjalën kyçe....

Për dashnorë të “përdhunimit”


Nga Aurel Plasari

Asnjë zell politik nuk ta lejon injorancën që mitin e lashtë të “Rrëmbimit të Europës” ta shformosh në “Përdhunim të Europës”, siç lexoj sot. “Il ratto di Europa”, pra “Rrëmbimi i Europës”, titullohet edhe tabloja e famshme, me atë subjekt, e bolonjezit Guido Reni (1575-1642). Kështu quhet miti përkatës edhe në kulturat e ndryshme: fr. “L’Enlèvement d’Europe”, gjerm.: “Die Vergewaltigung Europas”, sp.: “El rapto de Europa”, rus.: “Похищение Европы”. Etj. Nëse ndonjë amator të anglishtes e ka joshur emërtesa “The Rape of Europa”, i duhet rekomanduar të hapë fjalorët për të mësuar që në anglisht kuptimi i vjetër letrar i termit “rape” është pikërisht rrëmbim, grabitje.

Mitologjia e bën Europën një vajzë: të bijën e mbretit të fenikasve Agenor dhe të Telefasës. Duhej të ishte e bukur fort, përderisa hiret e saj qenë bërë shkak sherri mes dy visesh: “Azisë” dhe “visit përkundrejt”, që e donin sekush për vete. Mirëpo me vajzuken e quajtur Europë kishte rënë në dashuri vetë Zeusi. Një ditë, ndërsa ajo lozte me shoqet në një livadh në breg të detit, Zeusi i shndërruar në dem të bardhë erdhi dhe, duke u lazdruar, iu shtri te këmbët gjithë përkëdheli. Ndonëse në fillim me frikë, Europa më në fund mori zemër dhe, mbas joshjeve të demit të bardhë, i hipi në shpinë. Atëherë demi çau me vrik mes valëve të detit dhe, pa dashur t’ia dijë për britmat e vajzës së trembur, e shpuri atë në ishullin e Kretës. Atje Zeusi “u bashkua” me Europën, e cila i dha tre bij që do të bëheshin mbretër ose princër: Minosi i Kretës, Radamanti i ishujve Ciklade dhe Sarpedoni i Lukies. Jo vetëm kaq, por miti thotë që Zeusi thirri me emrin e saj pjesën më të madhe të “visit përkundrejt” Azisë për t’i dhënë emrin kësisoj kontinentit të cilin pak nga pak do ta quanin “Europë”.

Me kuptim gjeografik emri duket të jetë përdorur për së pari nga Hesiodi, në shek. VIII para e.s., për të shenjuar një pjesë të kontinentale të Gadishullit tonë, pjesën e tij perëndimore të njohur më vonë edhe me emrin Epir, – pak a shumë visi ku banojmë edhe ne sot, – në kundërvënie ndaj Peloponezit dhe ishujve të Detit Egje. Më shkurt e ka pas vënë re Konica: “Emri Europë në kohët klasike i vihej vetëm “Ballkanit”, dhe vetëm në Kohën e mesme ai u shtri në pjesën tjetër të kontinentit të bardhë”.

Miti i “Rrëmbimit të Europës” zbukuron prej shekujsh muret e qytetit të Pompeit dhe të shtëpive antike në Itali, Gali, Britani, Gjermani etj. Epokë pas epoke ai u bë motiv për piktorët: për një Perugino, një Rubens, një Tizian, një Tiepolo, një Tintoretto, një Veronese, një Rembrandt, një Boucher, një Carracci, një Bellano, një Lorraine, një Guido Reni, një Merten de Vos e kështu deri në kohën tonë, për ta “përdhunuar” do gazetarë në Tiranë.

VINI RE: Shkrimi është marrë nga Facebook-u i Aurel Plasarit