Monumentet në qytetet anembanë Evropës u ndezën me ngjyrat blu dhe të bardhë natën e 7 tetorit në shenjë solidariteti me Izraelin pasi 1,400 qytetarë të tij, kryesisht civilë të paarmatosur, u vranë në sulmin më të keq që ka pësuar vendi në dekada.
Udhëheqësit nga Emmanuel Macron në Francë deri te Giorgia Meloni në Itali shprehën mesazhe mbështetjeje të palëkundur.
Por shfaqja e unitetit maskoi tensionet e thella sociale që u shfaqën gjatë ditëve në vijim. Në gjithë rajonin, hebrenjtë tani kanë frikë nga një rritje e antisemitizmit. Ndërsa myslimanët shqetësohen se po barazohen me Hamas-in, grupi militant që kreu sulmin në jugun e Izraelit.
Në dritën e sulmit në një spital në qytetin e Gazës të martën mbrëma, i cili la 500 njerëz të vdekur, me numrin e viktimave që pritet të rritet, kjo dinamikë ka të ngjarë të përkeqësohet. Dështimi i 27 liderëve të Bashkimit Evropian për të folur me një zë nuk po ndihmon në këtë drejtim.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, për shembull, është kritikuar për shprehjen e mbështetjes së fortë për Izraelin gjatë një udhëtimi në vend, ndërkohë që, sipas pikëpamjes së një zyrtari tjetër të BE-së, ajo nuk u bëri thirrje me forcë autoriteteve izraelite që të respektojnë ligjin ndërkombëtar në operacionet e tyre hakmarrëse në Rripin e Gazës.
Rreziku i tjetërsimit të komuniteteve të tëra mund të dëmtojë më tej kohezionin social brenda BE-së, i cili tashmë është testuar nga lufta në Ukrainë, rritja e populizmit dhe një krizë historike e kostos së jetesës.
Ndarjet sociale janë veçanërisht të mprehta në Gjermani duke pasur parasysh historinë e saj të fundit të emigrimit dhe rolin në Holokaust. Është gjithashtu shtëpia e një prej popullsive më të mëdha palestineze jashtë Lindjes së Mesme.
Në të njëjtën natë që Porta e Brandenburgut në Berlin u ndriçua me ngjyrat e flamurit izraelit, rreth 40 demonstrues pro militantëve të-Hamas-it festuan sulmin ndaj Izraelit.
Në përgjigje të tubimit në një lagje me shumicë arabe dhe raporteve se yjet e Davidit ishin shenjuar në shtëpitë që mendohej se ishin të hebrejve, kancelari gjerman Olaf Scholz u zotua për një qasje ‘me zero tolerancë’ ndaj antisemitizmit dhe lavdërimit të Hamas-it duke duke premtuar se do ndjekë penalisht shkelësit.
Kancelari i qendrës së majtë kufizoi gjithashtu demonstratat pro-palestineze, duke nxitur akuza për ‘hiele’ nga anëtarët e komunitetit mysliman të Gjermanisë. Kjo shtoi shqetësimin mes arabëve pro-palestinezë, myslimanëve, të majtëve dhe anëtarëve të rrjedhës më të gjerë politike të Gjermanisë, e cila mbështet fuqishëm Izraelin.
Banorët e Berlinit kanë qenë të ndërgjegjshëm për një përmbytje dezinformatash dhe një vërshim aktivizmi, ndërkohë që nuk ka pasur raste të dhunës masive në 10 ditët e fundit.
Por fitorja e fundit nga partia ‘Alternativ fur Deutschland’ e ekstremit të djathtë në zgjedhjet rajonale kanë ngritur shqetësimin nëse e djathta ekstreme mund të do rrisë frikën e antisemitizmit.
Skenarë të ngjashëm po luhen në gjithë rajonin.
Shqetësimin e shtojnë edhe dy sulme nga terroristët e dyshuar gjetkë në rajon. Edhe pse nuk duket se kanë lidhje me luftën Izrael-Hamas, qeveritë kanë nxituar të përpiqen të qetësojnë qytetarët nervozë.
“Kjo është një kohë për më shumë siguri, kujdes dhe ndërgjegjësim,” tha kryeministri suedez Ulf Kristersson në një konferencë shtypi në Stokholm, pas sulmit në Bruksel të hënën që vrau dy suedezë. “Ne nuk mund të jemi shumë naivë.”
Në të gjithë Francën, ushtarët u dërguan për të mbështetur policinë pasi një mësues u vra javën e kaluar në atë që Presidenti Emmanuel Macron e quajti një akt të terrorizmit islamik.
Ministri i Punës Olivier Dussopt tha të martën se ai është i shqetësuar se vrasja e fundit e një mësuesi mund të minojë mbështetjen për një projektligj të ardhshëm të emigracionit që synon të ndihmojë disa punëtorë pa dokumente të qëndrojnë në Francë.
Në Itali, prokurorët në Milano mbajtën një konferencë për shtyp këtë javë për të siguruar një publik nervoz se arrestimi i dy shtetasve egjiptianë me akuza për terrorizëm nuk ishte i lidhur me konfliktin në Izrael, por më tepër rezultat i një hetimi policor që daton që nga viti 2021.
Në Austri, ministri i Jashtëm Alexander Schallenberg paralajmëroi për një rritje të mundshme të numrit të emigrantëve në rast të një lufte tokësore në Gaza. Një shqetësim i ngjashëm u shpreh edhe në Greqi.
Spanja ndërkohë dallohet për një qasje shumë të ndryshme.
Qeveria socialiste e kryeministrit Pedro Sanchez dënoi sulmet e Hamas-it ndërsa bëri thirrje për njohjen e shtetësisë së Palestinës dhe për respektimin e të drejtave ndërkombëtare humanitare në Gaza.
Spanja ka qenë historikisht simpatike për kauzën palestineze dhe më shumë se 10,000 njerëz marshuan në Madrid të dielën në një nga demonstratat më të mëdha pro-palestineze të vendit në vite.
Ndërkohë, me liderët e BE-së që ende punojnë për të dhënë një mesazh të unifikuar në përgjigje të konfliktit në rritje, kancelari gjerman Scholz u bë lideri i parë evropian që vizitoi Izraelin që nga sulmet e Hamas-it. Scholz u takua gjithashtu me të afërmit e shtetasve gjermanë të mbajtur peng nga Hamasi.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg