Vendosni fjalën kyçe....

Sekuestrimi i ilaçeve të kontrabanduara, Ministria e Shëndetësisë thirrje qytetarëve: Mos blini medikamente pa pullë fiskale


Ministria e Shëndetësisë ka përgëzuar Policinë dhe Prokurorinë për sekuestrimin e ilaçeve të kontrabanduara me vlerë rreth 50,000 euro që shiteshin në farmaci të ndryshme në të gjithë vendin.

Ministria ka kërkuar nga farmacitë që në respekt të qytetarëve nuk duhet të tregtojnë barna pa pullë, siç është kusht ligjor.

Gjithashtu ka apelur qytetarët të mos blejnë barna pa pullë fiskale.

Reagimi:

Përgëzojmë prokurorinë dhe strukturat e policisë së shtetit për punën e tyre në parandalimin e hyrjes në vendin tonë të barnave kontrabandë.

Të gjitha ilaçet në farmacitë tona kanë kusht ligjor që të jenë të pajisura me pullën fiskale. Farmacitë, në respekt të qytetarëve, duhet të tregojnë kujdes në tregtimin e barnave, duke u bazuar në të gjitha rregullat dhe ligjet në fuqi.

Nga ana tjetër, u bëjmë thirrje edhe qytetarëve që të jenë mjaft të kujdesshëm në këtë aspekt, dhe të pranojnë vetëm barna të pajisura me pullën fiskale.

MSHMS, së bashku me institucionet e varësisë dhe organet kompetente, do të vijojë të jetë mjaft e ashpër në marrjen e masave dhe vendimeve, për sa i përket veprave të tilla penale, të cilat rëndojnë tek shëndeti i qytetarëve tanë.

Kujtojmë se në lidhje me ilaçet e kontrabanduara, në pranga kanë rënë 16 shtetas: Devis Beqiri, Gentian Beqiri, Erjon Bajramaj, Dinë Thaqi, Ermal Merdani,  Lorin Bregoniva, Almed Hoxha, Elton Qorri, Albi Dyrmishi, Florian Muçogalli, Saimir Dervishi, Admir Hoxha, Gëzim Hoxha, Artur Spaho, Tomor Mustafaj dhe Albert Bakaj.

Të arrestuarit, sipas policisë “në bashkëpunim me njëri-tjetrin, tregtonin medikamente të ndryshme mjekësore të kontrabanduara, nga Greqia, Italia dhe Kosova, të cilat më pas i shisnin në farmaci të ndryshme në Tiranë, Elbasan, Fier, dhe Vlorë.”