Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka ka publikuar një dokument ku thotë se heqja nga kompleks sportive e kalimi në truall i pronës së ish-klubit Partizani është bërë me firmën e Edi Ramës.
Ai shkruan se trualli në fjalë ëështë pronë e vjetër e 5 familjeve të mëdha tiranase. Noka shton më tej se edhe lejen e ndërtimit e ka dhënë Edi Rama.
“Heqjen nga kompleks sportiv dhe kalimin ne truall te prones se Ish klubit Partizani (prone e vjeter e 5 Familjeve te medha te Tiranes)e ka dhene Edi Rama …Lejen e ndertimit Jamarber Malltezit ja ka dhene Edi Rana e jo Sali Berisha…Ja fotokopja e lejes Ndertimit…. Prove e jo dokerr alla Millonai…” – shkruan Noka.
Mbrëmjen e së shtunës, dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, u ndalua në aerportin e Rinasit ku kishte dalë për të pritur të shoqen Argitën, që kthehej nga Gjermania.
Ndalimi i tij u bë me urdhër të SPAK-ut, pasi ai po hetohet për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, ku janë ndërtuar 17 pallate.
Bashkë me të është ndaluar edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, të cilit gjykata i ka dhënë detyrim paraqitjeje.
Edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha gjykata ka dhënë masën detyrim paraqitjeje ndërsa i është bllokuar pasaporta.
Ky i fundit ka deklaruar se hetimit ndaj Malltezit është politik dhe me urdhër të Edi Ramës duke lëshuar akuza ndaj prokurorëve të çështjes, Arben Kraja e Enkelejda MIllonai.