Vendosni fjalën kyçe....

Berisha tregon nëse do shkojë në Gjykatë: Nuk kam njoftim, nuk shkel Kushtetutën


Kreu i PD-së të Rithemelimit Sali Berisha në një intervistë për Euronews Albania tregoi nëse do shkojë nesër në gjykatë për akuzat e ngritura nga SPAK për detyrim paraqitje dhe kufizim të daljes jashtë vendit.

Ish-kryeministri tha se do të zbatojë çdo akt të ligjit, dhe sipas tij, Kushtetuta është ajo e cila refuzon që Berisha të jetë pjesë e kësaj seance.

“Unë kam deklaruar se mbështes çdo akt të zbatimit të ligjit nga kushdo, por kur them këtë, unë nuk mund të pranoj kurrë shkelmim të Kushtetutës. Sali Berisha në vitin 2012 ka dërguar në Parlament amandamentet kushtetuese për heqjen e çdo lloj kufizimi të veprimit të organeve të drejtësisë përballë deputetit, çdo lloj kufizimi, pra me një fjalë tjetër pse e kam bërë këtë? Sepse kam dashur që në Kushtetutë të jenë të gjithë të barabartë para saj,” – u shpreh ai.

Sipas Berishës, nëse procesi kalon në parlament, ai thotë se nuk do të refuzojë të bëjë gjithçka kërkon ligji dhe Kushtetuta.

“Unë do shkoj në seancë gjyqësore dhe kudo, por jo në shkelje të Kushtetutës. Po u ndoq procedura çfarë mendon ti se do i kërkoj unë mëshirë mazhorancës së partisë së krimit? Kurrë! Po ata kanë frikë ta mbledhin parlamentin. Ata kanë frikë sepse e dinë që kanë zero fakte, zero argumente dhe nuk duan që unë t’ju bëj gjyqin publikisht. Nëse parlamenti voton për heqjen e imunitetit do ta pranoj pa diskutim. Njeriu që ka dërguar në vitin 2012 ligjin për këtë çështje as nuk më shkon kurrë në mendje ta refuzoj,” – deklaroi Berisha.