Vendosni fjalën kyçe....

2019-2022, Shqipëria përmirëson me 4% ritmet e konvergjencës me Gjermaninë, por e ndihmon rënia e popullsisë


Nga viti 2019 deri në vitin 2022, Shqipëria ka përmirësuar ritmet e konvergjencës (përafrimin e të ardhurave për frymë drejt një niveli të përbashkët) me Gjermaninë me rreth 4%, mirëpo kjo është shumë poshtë mesatares të 21 vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore.

Një analizë e Institutit Ndërkombëtar të Vjenës për Studime Ekonomike tregoi se PBB-ja për frymë (sipas fuqisë blerëse) në Shqipëri iu afrua nivelit të Gjermanisë me 4 pikë përqindje pas periudhës së pandemisë, por analistët arsyetojnë se kjo rritje po vjen më shumë si rrjedhojë e zhvillimeve demografike që po ulin popullsinë në rajonin e EQLJ.

Në vitin 1991, PBB për frymë sipas fuqisë blerëse në Shqipëri ishte sa 10% e këtij treguesi në Gjermani, ndërsa në vitin 2022 arriti në rreth 30% (sipas grafikut të mëposhtëm).

Të dhënat krahasuese nxjerrin në dukje se konvergjenca në Rajonin e Ballkanit është rritur me ritme shumë më të ulëta se rajonet e tjera të Europës që janë ende në zhvillim.

Midis 2019 dhe 2022, 21 nga 23 vendet e EQLJ-së kanë përmirësuar konvergjencën e PBB-së për frymë në raport Gjermaninë. Por performuesit më të mirë ishin Turqia, Rumania, Polonia dhe Kroacia, të cilat rritën nivelet e tyre të pasurisë kundrejt Gjermanisë me 7 pikë përqindje ose më shumë.

Edhe pse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor shënuan konvergjencë gjatë kësaj periudhe, gjithashtu ishin në një normë më të ulët se vendet se vendet e tjera, kryesisht për shkak të hapësirës më të vogël fiskale dhe aksesit të kufizuar në fondet e BE-së.

Për arsye të luftës, Ukraina ishte performuesi më i keq. Ekspertët e Vjenës vënë në dukje se performanca pozitive e konvergjencës për frymë është një shenjë e mirëpritur, por mund të jetë ndihmuar nga rënia e popullsisë në Rajon.

Duket qartë se popullsia ka rënë në shumë vende të EQLJ-së gjatë këtyre viteve. Parashikimet e reja sugjerojnë se shumica e vendeve të rajonit do të vazhdojnë të arrijnë Gjermaninë, por ka sfida të mëdha për performancën e ardhshme të konvergjencës.

Hulumtimi ka treguar se Rajoni ka nevojë për një model të ri rritjeje, duke përfshirë një politikë industriale më aktive, për të arritur fazën tjetër të konvergjencës ekonomike.

Periudha pas 2019 ka qenë e trazuar për EQLJ, me shpërthimin e Covid-19 në vitin 2020, e ndjekur nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Ndërsa këto ngjarje ndikuan në të gjithë ekonominë globale, ato patën një rezonancë të veçantë për EQLJ. Gjatë pandemisë në 2020-2021, rajoni pësoi disa nga normat më të larta të “vdekjeve shtesë” në botë.

​Ekonomia e Shqipërisë duhet të rritet 4.8% në vit që të arrijë gjysmën e standardit të BE-së deri në 2030. Por deri në atë kohë vendi duhet të arrijë të ardhura për frymë në rreth 50% të mesatares së BE-së, thotë një studim i Bankës Qendrore Europiane në lidhje me ritmet e konvergjencës që vendet kandidate duhet të plotësojnë deri në momentet e anëtarësimit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor