Vendosni fjalën kyçe....

Berisha i përgjigjet BIRN-it: Gazetarët t’i paraqesin të dyja palët, krijojnë narrative nga më primitivet


Ish-kryeministri Berisha e quajti ‘proces monstruoz politik’ atë ndaj tij lidhur me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Ai tha se gjithçka ndaj tij është e bazuar në shpifje e manipulim.

Berisha pati një koment edhe për gazetarët teksa theksoi se gazetarët duhet t’i paraqesin të dyja palët në proces dhe jo të krijojnë narrative nga më primitivet.

Deklarata e tij vjen një ditë pas Birn publikoi një shkrim sipas të cilit, Jamarbër Malltezi, me 113 metra katrorë tokë, përfitoi 5.2 milionë euro, ish-kryeministri Sali Berisha tha se pretendimet janë shpifje dhe se dhëndri i tij mund të kishte përfituar edhe më shumë nga pronat por zgjodhi të mos e bënte.

“Kemi  të bëjmë me një proces monstruoz politik, kur Edi Rama me dy skapistë vënë në tryezë reformat e suksesshme. Ajo ekonomi për dijeninë tuaj, atë vit që janë emetu bonot ka pas një rritje 8.7%. U them atyre që kapin penën dhe shpifin duke cituar dacibaun e Prokurorisë, vetëm sa baltosni moralin tuaj. Ky djalosh me 113 metër katror doli me 5.2 milionë euro. Gjithçka e bazuar në manipulimin e dokumenteve. Një djalosh tjetër mund të kishte edhe 20% më shumë.  Një gazetar nëse i intereson duhet ta paraqesë të dy palët, krijojnë narrativa nga më primitivet. Gjithçka e bazuar në shpifje, në turpin e fshehjes dhe manipulimit të dokumenteve. Beteja vijon në të gjitha planet. Ata i kishin paguar 700 mijë eurot para daljes së vendimit të qeverisë dhe qenka bërë ligji i shtetit për 90 mijë eurot detyrim që kishin mbetur ata. Kjo është e pacipë dhe e turpshme. Unë jam për barazi të plotë të qytetarëve para ligjit. Nuk kam qenë asnjëherë për diskrimimin mes deputetit dhe zgjedhësit. Nëse respektohet Kushtetuta, jam i gatshëm të përballem me gjithçka.” – tha Berisha.