Vendosni fjalën kyçe....

Ndërsa kriza e Gazës përshkallëzohet, ekspertët i druhen një ‘surprize’ të Hamas-it – Washington Post


Në fund të vitit 2016, inxhinieri i hapësirës ajrore Mohamed Zouari ishte ulur në makinën e tij në një qytet bregdetar tunizian kur një kamion u ndal para tij, duke i bllokuar rrugën. Dy figura të maskuara iu afruan burrit të befasuar dhe ngritën pistoletat me silenciatorë të gjatë. Ata qëlluan 20 plumba dhe u larguan me shpejtësi, tha policia, duke e lënë Zouarin që po vdiste të gjakosur në ulësen e përparme.

Ishte një goditje profesionale dhe dyshimet ranë shpejt mbi shërbimin e inteligjencës izraelite, Mossad. Izraelitët kishin arsye për të eliminuar Zouarin: ai njihej publikisht si ndërtues i dronëve të armatosur për grupin militant Hamas. Në kohën e vdekjes së tij, Zouari i stërvitur nga Irani kishte përfunduar kryeveprën e tij, një dron zhytës që mund të pajisej me eksploziv për të sulmuar platformat e naftës, objektet portuale dhe anijet në det.

Vrasja i dha fund karrierës së prodhuesit të armëve të Hamas-it, por shpikja e çmuar e Zouarit mbijetoi, të paktën si model. Forcat izraelite vunë re dhe shkatërruan një dron të ngjashëm zhytës në vitin 2021 ndërsa Hamas-i u përpoq të lëshonte anijen nga një plazh në Gaza. Ekspertët ushtarakë thonë se Hamas-i pothuajse me siguri ka më shumë si ai, brenda arsenaleve të fshehura që mund të përfshijnë edhe armë të tjera të përparuara për të cilat Hamas-i ka punuar prej vitesh për t’i blerë.

Ndërsa ashpërsia e luftës në Gaza rritet, rriten edhe mundësitë që Hamasi të zbulojë një surprizë vdekjeprurëse, sipas analistëve që studiojnë aftësitë ushtarake të grupit. Një ditë pas sulmit të 7 tetorit kundër Izraelit, Hamas-i njoftoi se kishte përdorur 35 dronë vetëshpërthyes – të gjithë sipas modeleve të hershme të armëve të Zouarit – në sulmin që ata e quajtën Operacioni al-Aqsa Flood.

Armët e grupit dihet gjithashtu se kanë teknologji të reja, nga minat e fuqishme dhe bombat në anë të rrugës deri te municionet e drejtuara me saktësi. Disa janë zhvilluar nga inxhinierë të Hamas-it jashtë Gazës, në shumicën e rasteve me asistencë teknike nga Irani.

Shumica e armëve të përdorura më 7 tetor ishin parë më parë. Por ekspertët kanë frikë se Hamas-i mund të ketë në rezervë një arsenal më të përparuar teknologjikisht, duke preferuar t’i përdorë ato armë si një përgjigje ndaj një sulmi tokësor izraelit që liderët e tij me siguri e dinin se do vinte.

“Ka shumë të ngjarë që Hamas-i të ketë aftësi që ne nuk i kemi parë ende, por mund t’i shohim më vonë,” tha Fabian Hinz, një ekspert raketash dhe analist i mbrojtjes në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, një institut britanik.

Nëse Hamas-i ndjek të njëjtin model si aleati i tij Hezbollah – grupi militant i mbështetur nga Irani që bëri luftë me Izraelin në 2006 – ai mund të kërkojë të tërheqë forcat izraelite dhe më pas të godasë papritur, ndoshta kundër objektivave larg vijës së frontit, tha Hinz.

“Ideja është që të arrijnë në një nivel më të lartë përshkallëzimi,” tha ai, “dhe pastaj të bëjnë magjinë e të nxjerrin lepurin nga kapelja.”

Inxhinieri i vrarë Mohamed Zouari

Një zyrtar i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit nuk pranoi të spekulojë në lidhje me armët që mund të përdoren kundër izraelitëve në një sulm tokësor në Gaza, duke thënë vetëm:

“Ne kemi sisteme mbrojtëse.”

Aftësia e re befasuese e Hezbollahut në luftën e 2006 ishte një raketë kundër anijeve. Agjencitë izraelite të inteligjencës nuk kishin parë asnjë provë që Hezbollah-u të ishte në gjendje të godiste anijet detare milje larg bregut deri më 12 korrik të atij viti, kur, në orët e para të luftimeve intensive, një raketë e Hezbollah-ut goditi INS Hanit, anijen flamur të marinës izraelite duke vrarë katër anëtarë të ekuipazhit.

Nëse Hamas-i po planifikon një surprizë të ngjashme, mund të jetë një dron nënujor i ngjashëm me atë që Zouari po zhvillonte për Hamas-in më shumë se shtatë vjet më parë, sipas Hinz dhe analistëve të tjerë. Ose mund të jetë një raketë e madhe e pajisur me një sistem udhëzimi preciz, që potencialisht i mundëson grupit të godasë me saktësi infrastrukturën jetike ose ushtrinë shumë milje larg. Deri më tani, mijëra raketave dhe dronëve të Hamas-it të lëshuara në Izrael u mungojnë paketat e sofistikuara udhëzuese, thonë zyrtarët izraelitë, edhe pse grupi militant besohet nga shumë ekspertë se ka marrë teknologji thelbësore nga Irani ose Hezbollah-u vite më parë.

Ndërkohë, trupat tokësore dhe automjetet izraelite mund të ndeshen me lloje më të fuqishme të bombave vdekjeprurëse në anë të rrugës, për të cilat grupet e mbështetura nga Irani kanë punuar për gati dy dekada për t’i përsosur. Në fillim të këtij viti, raportet e zbuluara të inteligjencës amerikane përshkruanin se si ekspertët iranianë po stërvitnin militantët e Sirisë për të krijuar një bombë depërtuese të blinduar që mund të copëtonte shtresën e çelikut të një tanku luftarak nga 75 metra larg.

“Izraeli ka investuar në forca të blinduara të rënda për mjetet e tij, por nëse keni një bombë 500 ose 1000 paund të groposur në rrugë, ajo mund të rrokullisë një automjet të blinduar ose të fluturojë një tank nga toka.” – tha Michael Eisenstadt, drejtor i ushtrisë për studimet e sigurisë në Institutin e Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt.

“Këtu nuk po përmendim ndikimin e valës së shpërthimit ndaj ekuipazhit, edhe nëse ata mbijetojnë.”

Bomba e fuqishme e përshkruar në raportet e inteligjencës amerikane ishte një depërtues i formuar në mënyrë eksplozive, ose EFP, një lloj më i fuqishëm i pajisjeve shpërthyese të improvizuara të përdorura nga kryengritësit e mbështetur nga Irani në dhjetëra sulme vdekjeprurëse kundër kolonave ushtarake amerikane gjatë pushtimit të Irakut nga SHBA-ja.

Një dokument që ishte pjesë e grumbullit të materialeve sekrete të zbuluara në platformën e mesazheve Discord tha se forcat elitare të Iranit Quds po mbikëqyrnin testimin e një eksplozivi të tillë, i cili raportohet se shpërtheu një tank në një provë të suksesshme të kryer në fund të janarit në Dumayr, në lindje të Damasku, kryeqyteti i Sirisë. Një përpjekje e dukshme për të përdorur pajisje të tilla kundër forcave amerikane në Siri u pengua në fund të shkurtit kur tre bomba u kapën nga luftëtarët kurdë aleatë të SHBA-së.

Aftësitë e zgjeruara të Hamas-it në një sërë sistemesh armësh rrjedhin kryesisht nga mbështetja e ofruar nga Irani, thanë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të inteligjencës amerikane. Ndërsa nuk ka asnjë provë të fortë deri më tani që Teherani drejtoi ose miratoi sulmet e 7 tetorit, zyrtarët iranianë dihet se kanë ofruar stëfvitje e pajisje të teknologjisë së lartë dhe njohuri për Hamas-in dhe aleatët e tij si pjesë e mbështetjes ushtarake prej rreth 100 milionë dollarësh dhënë grupeve palestineze.

Irani për vite me radhë ka ofruar prototipe për raketa e dronë të përdorur nga Hamas-i dhe Xhihadi Islamik Palestinez, një fraksion më i vogël i Gazës që i është bashkuar Hamas-it në luftimin e izraelitëve. Ai gjithashtu ndihmoi Hezbollah-un të nxjerrë dhjetëra mijëra raketa dhe dronë, shumica të pajisura me sisteme udhëzuese që mund t’i lejojnë ata të godasin me saktësi objektivat e largëta. Armët e ngjashme ndihmuan rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen të bëjnë goditje direkte në rafineritë e naftës dhe aeroportet civile në Arabinë Saudite në vitet e fundit. Të enjten, një destrojer i marinës amerikane në Detin e Kuq rrëzoi raketat Houthi dhe dronët që zyrtarët e Pentagonit thonë se mund të kenë synuar objektiva në Izrael.

Duke përdorur teknologjinë iraniane, Hamas-i ka ndërtuar fabrika nëntokësore të afta për të prodhuar në masë raketa dhe dronë. Përbërësit kryesorë, të tillë si eksplozivët dhe qarqet elektronike, kontrabandohen në enklavë përmes tuneleve ose hidhen në brigjet e Gazës me anije, thonë zyrtarët amerikanë dhe izraelitë.

Ndërsa kontrabandimi i objekteve relativisht të mëdha si raketat është i vështirë, përbërësit e nevojshëm për të kthyer raketat ‘memece’ në armë precize të drejtuara janë të vogla, sipas Hinz, një nga disa analistë që vlerësojnë se Hamas-i ndoshta ka armë të tilla.

“Nuk do të duhej as një çantë shpine për të kontrabanduar komponentët. Mund t’i vendosni në një çantë dore të zbukuruar.” – tha ai.

Ndërtimi i një droni nënujor është një sfidë më e madhe, por Hamas-i e ka treguar veten se është në nivelin e duhur teknologjik të detyrës. Modeli bazë u përpunua vite më parë nga Zouari, inxhinieri i hapësirës ajrore që punoi për Hamas-in brenda Gazës përpara se të kthehej në qytetin e tij të lindjes Sfax, në bregdetin tunizian, për të ndërtuar prototipin.

Perspektiva e dronëve që kalojnë nëpër ujërat bregdetare për të hedhur në erë portet dhe anijet izraelite duket se i ka frikësuar zyrtarët izraelitë që të ndërmarrin veprime. Asnjë grup nuk mori përgjegjësinë për dërgimin e ekipit të vrasësve që ekzekutoi inxhinierin pak hapa larg shtëpisë së tij në vitin 2016, por zyrtarët izraelitë nuk i kundërshtuan pretendimet e Hamas-it që lidhin vrasjen me Mosad.

I pyetur nga gazetarët izraelitë për të komentuar në lidhje me incidentin, Avigdor Liberman, ministri i Mbrojtjes i vendit në atë kohë, tha se Izraeli do bënte gjithçka që ishte e nevojshme për të ‘mbrojtur interesat e veta’. Dy shtetas boshnjakë u arrestuan më vonë në lidhje me krimin, megjithëse gjykatat deri më tani kanë kundërshtuar kërkesën e Tunizisë për ekstradimin e të dyshuarve.

Zbulimi nga forcat izraelite i një droni nënujor të Hamas-it në vitin 2021 vërtetoi se puna në projekt ka vijuar. Anija, e shkatërruar nga avioni luftarak izraelit ndërsa po nisej nga një plazh në Gaza, ishte në gjendje të mbante rreth 30 kg eksploziv të fuqishëm, tha një zëdhënës i IDF-së.

Zbulime të tilla kanë sfiduar nocionin mes disa izraelitëve se teknologjia e tyre superiore do i mbajë të sigurt. Hetimet e hershme mbi dështimet e inteligjencës izraelite më 7 tetor sugjerojnë se izraelitët ishin të përgjumur në një ndjenjë të rreme sigurie për shkak të besimit të tyre se kërcënimi i Hamas-it ishte frenuar kryesisht nga një rrjet i përpunuar mbrojtës i mureve kufitare, sensorëve elektronikë dhe sistemeve antiraketë si “Kupola e Hekurt”. Megjithatë, Hamas-i ia doli të kapte në befasi mbrojtjen dhe agjencitë ushtarake të vendit.

“Kjo është lufta asimetrike e shekullit të 21-të.” – tha Lenny Ben-David, një ish-zëvendës shef i misionit në ambasadën izraelite në Uashington dhe një autor i disa raporteve mbi Hamas-in dhe aftësitë e tij ushtarake.

“Ajo që kemi mësuar është se do vijoj më të befasohemi nga gjërat.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e  Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani