Bayern Munichi ka regjistruar edhe fitoren e tretë radhazi në Ligën e Kampionëve, duke bërë kështu një hap të madh drejt kalimit në fazën tjetër.
Skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel triumfoi sonte në udhëtim ndaj Galatasarayt, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tretë në Grupin A.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Ali Sami Yen” përfundoi me rezultatin 1:3.
Galatasaray dominoi në tërësi pjesën e parë, por nuk shfrytëzoi edhe rastet e shënimit – duke shkuar kështu në pushimin mes pjesëve me rezultatin e barabartë 1:1.
“Bavarezët” ishin të parët që kaluan në epërsi me golin e Kingsley Coman (8’), teksa skuadra vendase barazoi shifrat përmes Mauro Icardit (30’), që shënoi nga penalltia.
Kampionët gjermanë u treguan më konkret në pjesën e dytë, për të siguruar edhe fitoren. Harry Kane (73’) dhe Jamal Musiala (79’) shënuan për gjigantin e Gjermanisë.
Bayern Munichi pas kësaj fitore ka 9 pikë dhe vazhdon kryesimin në Grupin A. Galatasaray mbetet e dyta me 4 pikë.
Në dy vendet e tjera janë Copenhagen dhe Manchester United, që sonte takohen mes vete në “Old Trafford”.
Edhe Inter fitoi përballë Red Bull Salzburg. Skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi triumfoi si vendase me rezultatin 2:1.
Alexis Sanchez (19’) shënoi për epërsinë fillestare, me Interin që hyri në pushimin mes pjesëve me epërsi minimale.
Salzburgu ia doli të barazonte shifrat në pjesën e dytë përmes Oscar Gloukh (57’).
Megjithatë, nënkampionët e Evropës rikthyen sërish epërsinë me Hakan Çalhanoglun (64’), i cili shënoi nga penalltia.
Italianët shënuan edhe një herë tjetër në minutën e 81-të, por goli i Lautaro Martinezit u anulua nga VAR-i, për shkak të pozitës jashtë loje.
Vlen të theksohet se te “Nerazzurrët” u aktivizua edhe mesfushori shqiptar, Kristjan Asllani, i cili hyri si zëvendësues në minutën e 76-të.
Interi pas kësaj fitore ka 7 pikë dhe tani prin në Grupin D, me tri pikë më shumë se Real Sociedadi, që takohet sonte me Benfican. Salzburgu mbetet i treti me tri pikë.