Këshilli Evropian do të diskutojë sot për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë gjatë ditës së dytë të samitit të Bashkimit Evropian (BE), pas një dite të ngjeshur me takime të shumta por të pafrytshme mes udhëheqësve të këtyre dy vendeve me liderët e BE-së të enjten në Bruksel.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha në një konferencë të enjten pasmesnate se Këshilli nuk diskutoi dje për marrëdhëniet mes dy vendeve ballkanike, duke shtuar se “ne e mbështesim normalizimin e raporteve dhe shtensionimin [e situatës]. Për këtë do të diskutojmë nesër [e premte] në takimin e Këshillit”.
Gjatë takimit të sotëm të Këshillit, liderët e BE-së pritet ta shprehin shqetësimin e tyre të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, ta dënojnë sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në veri, të kërkojnë që përgjegjësit të sillen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në hetimin e rastit. Po ashtu, Kosovës dhe Serbisë do t’iu kërkohet t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre nga dialogu pa vonesa dhe pa parakushte, shkruan REL.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Komisioni është duke e pritur rezultatin e hetimeve rreth sulmit në Banjskë të Zveçanit – për të cilin Kosova e lë fajtore Serbinë – kur u pyet për akuzat se Komisioni nuk ka qëndrim të baraspeshuar, pasi mori masa ndaj Kosovës në fillim të këtij viti, por jo edhe ndaj Serbisë, e cila e mohon përgjegjësinë për sulmin e muajit të kaluar.
“Do të jem shumë e shkurtër në përgjigje, hetimet janë duke u zhvilluar dhe kemi thënë disa herë se kur të përmbyllen hetimet, ne do të vendosim për të ndërmarrë masa dhe çfarë lloj masash”, tha ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pritën të enjten në takime të ndara nga liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Takimet, e cilësuara si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, mbaruan pa ndonjë pajtim mes palëve.
Sipas udhëheqësve të BE-së, arritjen e pajtimit e penguan kushtëzimet që paraqitën palët.
Pas takimeve, Kurti tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj, garanton zbatimin e tyre, ndërsa presidenti serb Vuçiq këmbënguli në zbatimin e “asaj që është nënshkruar”.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”.
Ai konfirmoi se temë e diskutimeve në Bruksel ishte propozimi i ri i diplomatëve perëndimorë për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u prezantua në Prishtinë dhe në Beograd më 21 tetor.
“Palët nuk ishin të gatshme të bien dakord për të pa parakushte, e që janë të papranueshme për palën tjetër. Në fund, ne kërkojmë që palët të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit”, tha Borrell.
Sipas tij, kjo “mund të bëhet vetëm në kuadër të dialogut, sepse është e vetmja mënyrë për të përparuar në rrugën evropiane”.
“Ne do të vazhdojmë të insistojmë dhe të punojmë për të arritur një marrëveshje. Por sot, për fat të keq, nuk ishte e mundur”, tha kryediplomati evropian.