Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria abstenon në rezolutën e OKB-së për ndërprerjen e luftimeve në Gaza


Shqipëria ka abstenuar në një rezolutë që u votua me shumicë për ndërprerjen e luftimeve dhe fillimin e ndihmës humanitare për popullsinë e Gazas.

Pas katër dështimeve me radhë në Këshillin e Sigurimit ku u provua për dhjetë ditë miratimi i saj, Asambleja e Përgjithshme e OKB mori përsipër këtë çështje.

Rezoluta u iniciua nga Jordania në emër të 22 grupeve arabe

“Ndërsa jemi dëshmitarë, në momentin që flasim, të një pushtimi tokësor të Izraelit dhe në mungesë të veprimit të vendosur nga Këshilli i Sigurimit, (rezoluta) ka një objektiv të thjeshtë por jetik, të jetë përputhje me arsyen për të cilën ekzistojnë Kombet e Bashkuara: ekzistencën e paqes”, tha ambasadori Mahmoud Daifallah Hmoud i Jordanisë, vendi i të cilit hartoi tekstin në emër të grupit të 22 vendeve arabe.

Rezoluta jo-detyruese, e cila “bën thirrje për një armëpushim humanitar të menjëhershëm”, mori 120 vota pro, 14 kundër (përfshirë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara) dhe duartrokitje nga pjesa më e madhe e 193 anëtarëve të OKB-së në Nju Jork. Vota e Shqipërisë u rendit mes 45 abstenimeve ku bënin pjesë edhe vendeve të BE si Gjermania, ndërkohë që psh Franca votoi pro rezolutës.

Mënyra se si u ndanë votat pro dhe kundër nxori në pah ndarjet, veçanërisht midis perëndimorëve.
Rezoluta e miratuar të premten fokusohet kryesisht në situatën humanitare në Gaza, duke bërë thirrje në veçanti për sigurimin e menjëhershëm të ujit, ushqimit, karburantit, energjisë elektrike dhe aksesit “të papenguar” për ndihma.

Asambleja e Përgjithshme dënon gjithashtu “të gjitha aktet e dhunës të drejtuara kundër civilëve palestinezë dhe izraelitë, duke përfshirë të gjitha aktet e terrorizmit dhe sulmet pa dallim”, dhe thotë se është “thellësisht i shqetësuar nga përshkallëzimi i fundit e dhunës që nga sulmi i 7 tetorit”, por pa duke përmendur Hamasin. Ky detaj i fundit ndikoi edhe në ndarjen mes vendeve të perëndimit duke nxitur fjalët e ashpra të ambasadoreve izraelite dhe amerikane ne OKB.