Ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus, komentoi luftën Izrael-Hamas, duke theksuar se ky i fundit duhet të shkatërrohet, pasi është një bandë vrasësish me të cilin nuk mund të negociohet.
Ai e bëri deklaratën në një intervistë me Euronews Albania, ku tha gjithashtu lufta e nisur pas sulmit të Hamas-it më 7 tetor u ka kushtuar jetën deri tani shumë njerëzve, mes të cilëve shumë janë gra e fëmijë.
Petreaus tha ndër të tjera se Izraeli duhet të dalë me një plan të periudhës së pasluftës dhe se Hamas-i është një grup që nuk është në gjendje të bëjë negociata e as të pajtohet.
“Ajo që duket qartë se është duke u zhvilluar është shkatërrimi i Hamasit nga Izraeli. Kjo do të thotë se forcat izraelite kanë kryer stërvitje të gjera përgatitore dhe kanë vendosur kushtet e betejës me fuqinë e tyre dhe dronët e kështu me radhë. Ata duhet të shkojnë shtëpi më shtëpi, të pastrojnë çdo kat, çdo dhomë, çdo bodrum, çdo tunel. Mund të imagjinoni se ka qindra kilometra tunele nën qytetin e Gazës. Në përpjekje për të shkatërruar një armik që nuk vesh uniformë, që përdor civilët si mburoja njerëzore dhe që mban peng mbi 200 izraelitë. Është e vështirë të imagjinohet një betejë më sfiduese. Është shumë e vështirë të merret një vendim për këtë çështje, por unë pajtohem me udhëheqjen izraelite që Hamasi duhet të shkatërrohet. Ky është një grup ekstremist si Shteti Islamik. Nuk janë të negociueshëm, nuk njihen. Ata do duhet të shkatërrohen dhe kjo duket se është ajo që Izraeli po bën në përgjithësi.” – theksoi Petraeus.
Ish-shefi i CIA-s shtoi më tej se do ishte e udhës që Izraeli të shpallte edhe planin e pasluftës teksa tha se jeta e palestinezëve do ishte shumë më e mirë pa Hamas-in e Xhihadin Islamik në jetët e tyre.
“Mendoj se do ishte mirë nëse Izraeli do shpallte gjithashtu planin e pasluftës për të pranuar se ka të ngjarë të duhet të marrë përsipër qeverinë e Gazës, sepse ata janë gati të shkatërrojnë krahun politik si dhe në thelb ushtrinë që Hamas-i e Xhihadi Islamik kanë. Unë mendoj se ofron një vizion për popullin e Gazës, për palestinezët, mendoj se jeta do jetë më e mirë pasi Hamas-i të largohet nga jeta e tyre dhe sigurisht për t’i kujtuar se kjo dhunë është përgjegjëse për humbjet e pafajshme të jetëve njerëzore. 1,400 izraelitë të vrarë për një popullsi prej vetëm 9.3 milionë banorësh, në kushtet e SHBA-së barazohen me mbi 50,000 civilë të pafajshëm të humbur.” – shtoi ai.
Sipas Petraeus, Hamas-i dhe gjithçka mbetet prej tij duhet bllokuar që të mos marrë më pjesë në rindërtimin e Gazës dhe në asgjë që ndodh aty njësoj siç ndodhi në Irak me Al Kaeda-n duke çuar në kushtet për ngritjen e ISIS-it.
Ai theksoi se SHBA-ja ka qenë e qartë me Izraelin për sa i përket operacionit tokësor duke i kërkuar që të shmangë në maksimum viktimat civile, duke e quajtur atë një skenar sfidues.
Gjenerali amerikan theksoi se lufta me Hamas-in do jetë e gjatë dhe mund të ketë zhvillime të paparashikueshme plotësisht në terren.
Ai përsëriti qëndrimin amerikan se Irani qëndron prapa grupeve që veprojnë në Lindjen e Mesme duke përmendur Hezbollah-un në Liban.
Petraeus ritheksoi se është detyrë e Izraelit të bindë palestinezët në Gaza se jeta e tyre do jetë shumë më e mirë pa Hamas-in, i cili është përgjegjës për atë që po ndodh dhe për jetët e pafajshme të humbura.
“Ata duhet të kujtojnë se është Hamas-i ai që u solli të gjithëve këtë vuajtje dhe humbje në shkallë të gjerë. Dhe pastaj Izraeli do të duhet të tregojë se Izraeli është i vendosur të përmirësojë jetën, të bindë palestinezët e pafajshëm në Gaza se jeta do jetë më e mirë pa Hamas-in dhe pa ekstremistët. Dhe më pas ata mund të ndihmojnë në të vërtetë të heqin qafe këta terroristë shkatërrues ekstremistë. Kështu që Izraeli që do ofrojë ndihmë humanitare, mund të rivendosë shërbimet bazë e infrastrukturën për të rihapur shkollat, klinikat, tregjet, të gjitha këto.” – shtoi ish-shefi i CIA-s.