Vendosni fjalën kyçe....

Nën akuzë për drogë, vjedhje e armëmbajtje pa leje, arrestohet 18-vjeçari në Vlorë


Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave, ku është goditur një tjetër rast i kësaj veprimtarie kriminale.

Si pasojë është kapur dhe vënë në pranga 18-vjeçari që shiste dozat e kanabisit, vidhte pajisje elektronike dhe posedonte armë zjarri, armë të ftohta dhe municion luftarak.

Sekuestrohen doza kanabisi të gatshme për shitje, 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 1 mjet prerës (thikë), 1 përforcues grushti dhe dhjetëra pajisje elektronike të dyshuara të vjedhura (laptopë dhe aparate celulare).

Procedohen penalisht për moskallëzim krimi, 3 shtetas të tjerë, njëri prej të cilëve fshihte në banesë, sende të vjedhura nga 18-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas shiste lëndë narkotike në afërsi të shkollave në qytet dhe kryente vjedhje në dyqane me pajisje elektronike, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, në afërsi të një shkolle në qendër të qytetit, u kap dhe u arrestua shtetasi Aleksandro Simoni, 18 vjeç, banues në fshatin Beshishtë, Vlorë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të cilën ky shtetas e ndante në doza dhe më pas i shiste në qytet, kryesisht në afërsi të shkollave.

Gjithashtu, në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 1 mjet prerës (thikë), si dhe dhjetëra pajisje elektronike (laptopë dhe celularë), të cilat dyshohet se i ka vjedhur më parë, në dyqane të ndryshme, në qytet.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 17 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti sende të tjera të dyshuara të vjedhura nga 18-vjeçari i arrestuar, një sasi fishekësh luftarak si dhe një përforcues grushti. Procedimi në gjendje të lirë nisi edhe për shtetasit K. D., 25 vjeç dhe R. B., 21 vjeç, pasi bashkë me 17-vjeçarin, kanë qenë në dijeni të veprimtarive kriminale të shtetasit A.S., por nuk kanë kallëzuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.