Kreu i Partisë së Lirisë, Meta, doli sot në një konferencë për shtyp nga selia e partisë, pas zhurmës mediatike për ‘zhdukjen e tij’ për më shumë se tre javë.
Ai pohoi se nuk i aspak një thirrjeje nga SPAK-u, për të cilin shprehu mbështetjen e plotë, duke përjashtuar ata prokurorë që i quajti ‘vartës të Ramës e Agaçit’ dhe që kanë shkelur Kushtetutën e anashkaluar Parlamentin në rastin e masës ndaj deputetit të PD-së Berisha, duke i bllokuar atij pasaportën.
Meta tha me jo pak ironi se nuk ka frikë nga e shkuara e tij dhe se nuk ka firmosur asgjë ‘fët e fët’.
“Nuk përbën lajm që Ilir Meta shkon në SPAK. Do të jem gjithmonë i hapur. Nuk kam firmosur fët e fët. Sado që të përpiqet Edi Rama të përdorë drejtësinë, modeli i Ilir Metës do jetë gjatë. Unë nuk i druhem askujt. Nuk i jam druar as në të kaluarën, as sot e as në të ardhmen. Kjo reformë u miratua me 140 vota. Reforma u shndërruar në Ramaformë, çdo gjë u bë më pas në kundërshtim me Kushtetutën. Prokurori i Përgjithshëm u zëvendësua me 69 vota, në mënyrën më antikushtetuese. S’dua të mbaj një qëndrim në bllok ndaj SPAK. Rreforma u bë që t’i jepte sa më shumë pavarësi prokurorëve në çështjet e tyre. Mbështetjen më të plotë për të gjithë ata që zbatojnë ligjit, i rezistojnë presioneve politike, apo të botës së krimit. Të gjithë ata që respektojnë Kushtetutën dhe ligjin. Për të gjithë ata që sillen si vartës të Ramës, apo Agaçit, si vartës të elementëve të tjerë të PS, të mos presin duartrokitje as kur shkelin Kushtetutën, as kur përdoren jo për të ndëshkuar korrupsionin, por për të asgjësuar opozitarizmin, pluralizmin politik dhe për të garantuar pandëshkueshmërinë e Ramës dhe Veliaj.” – tha Meta.
Gjatë konferencës për shtyp ai u ndal te akuzat ndaj Berishës dhe arrestimin e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi duke theksuar se aktakuza ndaj tyre u bë në Kongresin e PS-së nga kryeministri Rama. Meta tha se ‘e ashtuquajtura drejtësi e re’ anashkaloi Parlamentin.
“Lidhur me qëndrimet nga ana e Berishës për hetimet e SPAK, dëshiroj të shpreh keqardhje për këtë rrëshqitje, jo e papritur, të ashtëquajturës drejtësi e re, e cila anashkalon Parlamentin. Aktakuza është bërë në kongresin e PS nga Rama dhe e diktuar në çdo element ndaj tij, i cili për ish-klubin sportiv është personi kryesor që ka marrë përgjegjësinë për ndërrimin e destinacionit.” – tha Meta.
Kreu i Partisë së Lirisë u ndal edhe te inceneratori i Tiranës, për të cilin ka pasur vijimësisht akuza e kallëzime në SPAK.
Gjatë konferencës për shtyp Meta tha se inceneratori merr ende miliona euro nga kryeministri Rama e kryebashkiaku i Tiranës Veliaj.
Ai shto se parlemanti është kapur nga kreu i qeverisë dhe është kthyer në një zyrë që miraton ligje për të vjedhur.
“Inceneratori i Tiranës vazhdon merr miliona euro nga Edi Rama dhe Erion Veliaj. Dje mori edhe 800 mijë euro të tjera. Veliaj është i kallëzuar për tre inceneratorët. Inceneratori i Tiranës dëshmia pse Shqipëria thellohet në gropën e korrupsionit. Shqipëria për fat të keq, vazhdon rrëshqitjen e rrezikshme drejt paligjshmërisë dhe kapjes së shtetit. Parlamenti është kapur për fyti nga Rama. Bllokimi I të gjitha komisioneve hetimore, për koncesionet, për rrëmbimin e të dhënave të TIMS, çështjen McGonigal, etj., është dëshmi e pakundërshtueshme e qëllimit të qeverisë për të mos dhënë llogari në Parlament. Jemi në kushtet e një konfrontimi të hapur midis qëndrimit demokratik që ka opozita dhe regjimit të Edi Ramës. Edi Rama dhe qeveria duan një Shqipëri pa opozitë, që të vënë në zbatim të pa penguar, planet e tyre korruptive për interesat e veta, dhe të grupimeve financiare, mafioze që përfaqësojnë.” – tha Meta.
Ai shoi kureshtjen e gazetarëve për mungesën trejavore, që shkaktoi zhurmë për një ‘largim’ tijin jashtë vendit.
“Unë për hir të së vërtetës gjatë këtyre 3 javëve për arsye personale të disa çështjeve të shëndetit, nuk kam qenë i angazhuar publikisht, aq sa edhe ju jeni shqetësuar.” – tha Meta.
Kreu i PL-së shprehu kundërshtinë e tij për projektligjin e propozuar për Prefektët që u jep atyre më shumë kompetenca, edhe të propozimit të shkarkimit të kryebashkiakëve, duke thënë se centralizon më shumë pushtetin në duart e Ramës.
“Është super centralizimi i pushtetit abuziv në duart e Edi Ramës, ai që nuk e lejon Shqipërinë të ngrejë kokë. E kundërshtojmë fuqimisht, iniciativën e re ligjore të Edi Ramës për ti dhënë fuqi më të mëdha ekzekutive Prefektëve, pra të emëruarve të Edi Ramës, mbi pushtetin vendor. Pasi rrëmbeu shumicën e kompetencave të pushtetit lokal, Edi Rama miraton këtë ligj, që shkon kundër ligjit të veqeverisjes vendore, duke cënuar autonominë e organeve të pushtetit vendor që burojnë vetëm nga vota e sovranit dhe nuk mundet kurrësesi të jenë skllave të kryeministrit dhe mazhorancës parlamentare. Kjo është përpjekja e fundit për të rrëmbyer tërësisht pushtetin vendor në duart e qeverisë dhe shkatërruar vullnetin e qytetarëve.” – tha Meta.