Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) ka përsëritur thirrjen e tij për një armëpushim humanitar në luftën Izrael-Hamas, duke thënë se konflikti po vret mijëra fëmijë në Gaza dhe po rrezikon shumë të tjerë nga dhuna dhe kriza e ujit.
“Gaza është bërë një varrezë për mijëra fëmijë,” u tha gazetarëve të martën në Gjenevë zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, “është një ferr i gjallë për të gjithë të tjerët”.
Ai vuri në dukje se më shumë se 3,450 fëmijë në enklavën palestineze janë vrarë tashmë dhe numri i të vdekurve rritet ndjeshëm çdo ditë.
Elder i bëri komentet e tij ndërsa Izraeli përshkallëzoi ofensivën e tij tokësore në Gaza në përgjigje të sulmeve terroriste të Hamas-it që vranë rreth 1,400 njerëz më 7 tetor.
Sistemi ujor i Gazës gjithashtu është gjymtuar nga konflikti, duke ndikuar në rritjen e përgjithshme të numrit të viktimave që deri tani numërohen mbi 8300 sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
“Kërcënimet ndaj fëmijëve shkojnë përtej bombave dhe mortajave”, tha Elder. Ai shtoi se kapaciteti i prodhimit të ujit të Gazës është ulur në 5% të nivelit të tij normal, duke vënë më shumë se 1 milion fëmijë në rrezik të vdekjes nga dehidratimi.
Shumë fëmijë janë sëmurë duke pirë ujë të kripur nga dëshpërimi. Qeveria e Izraelit ka sulmuar OKB-në, duke argumentuar se organi nuk i ka dënuar sa duhet mizoritë e kryera nga Hamasi më 7 tetor.
Ambasadori i Jerusalemit Perëndimor në OKB, Gilad Erdan, njoftoi të hënën se anëtarët e delegacionit të tij do përgjigjen duke veshur yje të verdhë, duke aluduar tek etiketat që hebrenjtë u detyruan të mbanin gjatë Holokaustit.