Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja zgjeron në heshtje bazën ushtarake sekrete në Izrael


Dokumentet qeveritare që tregojnë për ndërtimin në një bazë të klasifikuar amerikane ofrojnë sugjerime të rralla për një prani pak të theksuar ushtarake të SHBA pranë Gazës.

Dy muaj para se Hamasi të sulmonte Izraelin, Pentagoni dha një kontratë shumëmilionëshe për të ndërtuar objekte të trupave amerikane për një bazë sekrete që ajo mban thellë në shkretëtirën Negev të Izraelit, vetëm 32 kilometra nga Gaza. Me emrin e koduar “Site 512”, baza e SHBA-së është një strukturë radari që mbikëqyr qiejt për sulmet me raketa ndaj Izraelit.

Megjithatë, më 7 tetor, kur mijëra raketa të Hamasit u lëshuan, “Site 512” nuk pa asgjë, sepse është i përqendruar te Irani, që është më shumë se 1100 kilometra larg.

Ushtria e SHBA-së po ecën në heshtje me ndërtimin në “Site 512”, një bazë e fshehtë e vendosur në majë të malit Har Qeren në Negev, për të përfshirë atë që të dhënat e qeverisë e përshkruajnë si një “objekt mbështetjeje për jetën”.

Megjithëse Presidenti Joe Biden dhe Shtëpia e Bardhë këmbëngulin se nuk ka plane për të dërguar trupa amerikane në Izrael në mes të luftës së tij kundër Hamasit, një prani e fshehtë ushtarake e SHBA-së në Izrael tashmë ekziston. Dhe kontratat e qeverisë dhe dokumentet buxhetore tregojnë se është dukshëm në rritje.

Objekti i trupave amerikane prej 35.8 milionë dollarësh, i pa shpallur publikisht ose i raportuar më parë, u referua në mënyrë të zhdrejtë në një njoftim për kontratë të 2 gushtit nga Pentagoni.

Megjithëse Departamenti i Mbrojtjes ka bërë përpjekje për të errësuar natyrën e vërtetë të saj – duke e përshkruar atë në të dhënat e tjera thjesht si një projekt “i klasifikuar në mbarë botën” – dokumentet buxhetore të shqyrtuara nga The Intercept zbulojnë se ai është pjesë e “Site 512”. (Pentagoni nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.)

“Ndonjëherë diçka trajtohet si një sekret zyrtar, jo me shpresën se një kundërshtar nuk do e mësonte kurrë, por përkundrazi sepse qeveria e SHBA-së, për arsye diplomatike ose politike, nuk dëshiron ta pranojë zyrtarisht atë,” tha për The Intercept Paul Pillar, një ish-kryeanalist në qendrën kundër terrorizmit të CIA-s, i cili tha se nuk kishte njohuri specifike për bazën.

“Në këtë rast, ndoshta baza do përdoret për të mbështetur operacionet diku tjetër në Lindjen e Mesme, në të cilat çdo pranim se ato ishin organizuar nga Izraeli, ose përfshirja e ndonjë bashkëpunimi me Izraelin, do ishte e papërshtatshme dhe ka të ngjarë të shkaktonte më shumë reagime negative sesa përfitime do nxirrnin operacionet.”

Njohja e rrallë e pranisë ushtarake të SHBA-së në Izrael erdhi në vitin 2017, kur dy vendet përuruan një bazë ushtarake që Zëri i Amerikës i financuar nga qeveria amerikane e konsideroi “bazën e parë ushtarake amerikane në tokën izraelite”.

Gjeneral Brigade i Forcave Ajrore Izraelite, Tzvika Haimovitch, e quajti atë “historike”. Ai tha: “Ne krijuam një bazë amerikane në Shtetin e Izraelit, në Forcat e Mbrojtjes të Izraelit, për herë të parë.”

Një ditë më vonë, ushtria amerikane mohoi se ishte një bazë amerikane, duke këmbëngulur se ajo ishte thjesht një “objekt banimi” për anëtarët e shërbimit amerikan që punonin në një bazë izraelite.

Ushtria amerikane përdor një gjuhë të ngjashme eufemiste për të karakterizuar objektin e ri në Izrael, të cilin të dhënat e saj të prokurimit e përshkruajnë si një “zonë mbështetëse për jetën”. Një turbullim i tillë është tipik për bazat ushtarake amerikane që Pentagoni dëshiron të fshehë.

“Site 512” është referuar më parë si një “vend i sigurisë bashkëpunuese”: një përcaktim që synon të japë një prani me kosto të ulët dhe gjurmë të lehtë, por është aplikuar në baza që, siç ka raportuar më parë The Intercept, mund të strehojë deri në 1000 trupa.

“Site 512”, megjithatë, nuk u krijua për të përballuar një kërcënim ndaj Izraelit nga militantët palestinezë, por rrezikun e paraqitur nga raketat iraniane me rreze të mesme veprimi. Fokusi dërrmues te Irani vijon të shfaqet në reagimin e qeverisë së SHBA-së ndaj sulmit të Hamasit.

Në një përpjekje për të kundërshtuar Iranin – i cili ndihmon si Hamasin, ashtu edhe rivalin e Izraelit në veri, Hezbollahun, një grup politik libanez me një krah të fuqishëm ushtarak, që të dyja konsiderohen si grupe terroriste nga SHBA-të – Pentagoni e ka zgjeruar shumë praninë e tij në Lindja e Mesme. Pas sulmit, SHBA-ja dyfishoi numrin e avionëve luftarakë në rajon dhe vendosi dy aeroplanmbajtëse në brigjet e Izraelit.

Republikanët kryesorë si udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch Mçonnell, megjithatë e kanë dënuar presidentin Biden për “dobësinë e tij të supozuar ndaj Iranit”. Ndërsa disa llogari të mediave kanë thënë se Irani ka luajtur një rol në planifikimin e sulmit të Hamasit, ka pasur të dhëna nga komuniteti i inteligjencës amerikane se zyrtarët iranianë ishin të befasuar nga sulmi.

Historia e marrëdhënieve SHBA-Izrael mund të fshihet prapa dështimit për të njohur bazën, tha një ekspert për bazat ushtarake të huaja amerikane.

“Spekulimet e mia janë se sekreti është një pengesë që nga çasti kur administratat presidenciale të SHBA-së u përpoqën të ofronin një pretendim se nuk anonin me Izraelin në konfliktet izraelito-palestineze dhe izraelito-arabe,” tha për The Intercept David Vine, një profesor i Antropologjisë në Universitetin Amerikan.

“Njoftimi i bazave ushtarake të SHBA-së në Izrael në vitet e fundit ka të ngjarë të pasqyrojë rënien e atij pretendimi dhe dëshirën për të shpallur më publikisht mbështetje për Izraelin.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Intercept

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani