Vendosni fjalën kyçe....

Koncesioni i Check Up-it, Dhurata Çupi: Të ngrihen komisionet hetimore, janë vjedhur 350 mijë euro përmes faturave fiktive


Dhurata Çupi, deputetja e PD, ka sot kërkuar ngritjen e komisioneve hetimore për koncesionin e Check Up-eve.

Sipas saj Rama nuk e do këtë gjë pasi opozita do të faktojë zyrtarisht vjedhjen e taksave përmes koncesioneve korruptive.

Deputetja u shpreh në një postim se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar së fundmi, se vetëm nga koncesioni i check up-it për vitin 2022 janë faturuar 20 mijë analiza fiktive.

Postimi i plotë:

Pse Edi Rama nuk do një opozitë që kontrollon qeverisjen përmes komisioneve hetimore? Përgjigja është shumë e thjeshtë: Sepse ne do t’i faktojmë zyrtarisht vjedhjen e taksave të shqiptarëve përmes koncesioneve korruptive.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar, së fundmi, se vetëm nga koncesioni i check up për vitin 2022 janë faturuar 20 mijë analiza fiktive. Me fjalë të tjera, janë vjedhur përmes faturave fiktive 350 mijë euro, pa llogaritur fare që ky koncesion  ka rezultuar totalisht i paefektshëm për shendetin e njerëzve.

Si deputetë të PD, kemi kërkuar ngritjen e disa komisioneve hetimore, përfshirë atë të koncesioneve në shëndetësi, të bindur se aktet e Edi Ramës janë thellësisht korruptivë dhe ndër më të dëmshmit për rënien drastike të cilësinë së shërbimeve në shëndetësi. Për të fshehur vjedhjen e tij ndaj shqiptarëve, Edi Rama po i mohon opozitës të drejtën kushtetuese për komisionet hetimore.

Ne jemi të vendosur për të mos lejuar eliminimin real të opozitës në parlament. Beteja jonë do të jetë vendimtare jo vetëm për opozitën, por për cilësinë e jetës së çdo qytetari shqiptar!