Vendosni fjalën kyçe....

Projektbuxheti 2024/ Bashkitë do të marrin 360 mln euro transfertë, Tirana, Durrësi dhe Elbasani marrin pjesën më të madhe

Afro 360 milionë euro ose 36.5 miliardë lekë është vlera e transfertës e pakushtëzuar që do të shkojë si mbështetje nga buxheti i shtetit për bashkitë për vitin që vjen.

Sipas Shqiptarja.com në relacionin e projektbuxhetit 2024 thuhet se transferta e pakushtëzuar për vitin 2024, është 24.3 miliardë lekë, shumë së cilës do t’i shtohen edhe fondet 10.7 miliardë lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja, si dhe 1.5 miliardë lekë për rritjen e pagave.

Nga 61 bashki, vetëm 8 bashki do të marrin më shumë se 1 miliardë lekë nga kjo transfertë. Janë rreth 14,8 miliardë lekë që do të ndahen mes Tiranës që merr 5.2 miliardë lekë pasi ka numrin më të lartë të popullsisë, ndjekur nga Bashkia e Durrësit me afro 2 miliardë lekë (1,969,654), Elbasani me 1.5 miliardë, më pas Shkodra me 1.4 miliardë lekë apo Fieri që do të marrë 1.3 miliardë lekë.

Në grupin e dytë të bashkive është Vlora e cila do të përfitojë nga transferta e buxhetit të shtetit 1.2 miliardë lekë, ndjekur nga Kamza me 1.1 miliardë lekë, dhe Korça që do të përfitojë 1 miliardë lekë.

Ndërkohë 53 bashkitë e tjera do të marrin më pak se 1 miliard lekë, ku më pak fonde janë planifikuar për 6 bashki. Konkretisht bashkia Dropull, Këlcyrë, Delvinë, Konispol, Libohovë dhe Pustec, ku transferta e parashikuar është poshtë nivelit 200 mijë lekë.

Shpërndarja e fondeve të buxhetit të shtetit për pushtetin vendor bëhet duke u bazuar tek popullsia, dendësia e popullsisë dhe tek numri faktik i fëmijëve në kopshte dhe nxënësve në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në çdo bashki.