Vendosni fjalën kyçe....

Pezullimi nga detyra i Presidentit të Urdhrit të Stomatologut, Prokuroria e Tiranës: Abuzoi financiarisht dhe punësoi familjarë të tij


Prokuroria e Tiranes nëpërmjet një njoftimi ka treguar arsyet e pezullimit të ushtrimit të detyrës për Presidentin e Urdhrit të Stomatologut, Nikollë Deda, i cili akuzohet për abuzime të shumta financiare.

Sipas Prokurorisë rëndojnë akuza për abuzime të shumta financiare dhe manipulim të  vendimmarrjes në Këshillin Kombëtar të institucionit që nga viti 2016.

Njoftimi i plotë i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkoi “Pezullim të ushtrimit të detyrës për shtetasin N.D., President i Urdhrit të Stomatologut, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i Detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Nga hetimi, në kuadër të procedimi penal nr. 1630/2023, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal rezultoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasi N.D. ka kryer veprën penale të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Shtetasi A.G. kallëzoi më datë 18.01.2023, shtetasin N.D., për abuzime financiare dhe manipulime me vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar që datojnë nga viti 2016.

Kallëzuesi deklaroi se edhe pse me vendimin e Gjykatës Administrative më datë 07.02.2020 është vendosur sigurimi i padisë për vendimet Nr.16 dhe 18, datë 07.11.2019, shtetasi Nikolla Deda, në cilësinë e Presidentit të Urdhrit të Stomatologëve, ka vijuar në mënyrë të jashtëligjshme me mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe Asamblesë, ku ka marrë vendime të dyshimta me karakter financiar, si dhe ka kryer punësime të familjarëve të anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe të vetë familjes së tij.

Sipas tij, më datë 21.09.2020 është vendosur blerja e një godine, në funksion të Urdhrit të Stomatologut, me sipërfaqe 350m2 , në vlerën 700.000 euro. Për sa kohë ka një vendim për sigurim padie të 2020, Këshilli Kombëtar i US nuk duhet të merrte vendime të tilla me impakt ekonomik kaq të lartë.

Gjithashtu, Këshilli Kombëtar ka aprovuar marrjen e nje kredie pranë një banke në vlerën prej 250.000 euro me qëllim “blerje ambientesh”, për të cilin është marrë vendimi po nga presidenti N.D.

Nga hetimet, rezultoi se me veprimet/mosveprimet e tij shtetasi N.D. ka krijuar një “klimë posedimi privat” duke përqendruar në duart e tij funksionet e këshillave rajonale qoftë për sa i përket administrimit të buxhetit të urdhrit të stomatologut ne nivel qarku, qoftë përsa i përket pajisjes me licencë të stomatologeve për ushtrim individual profesioni. Për më tepër punësimi i të fejuarave të djemve të tij në Urdhrin e Stomatologut, apo fëmijëve të anëtarëve të Këshillit Kombëtar janë thjesht tregues i personalizimin e “Urdhrit të Stomatologut” nga shtetasi N.D., duke krijuar një klimë posedimi privat të këtij enti publik. Pavarësisht se është marre i pandehur dhe është aktualisht në proces gjyqësor i akuzuar për nenin 320 të Kodit Penal, në një tjetër procedim penal, ka ndërmarrë veprime aktive në shpërdorim të detyrës për përqendrim të mëtejshëm të kompetencave në duart e tij duke shfrytezuar strukturat e USSH-së.