Vendosni fjalën kyçe....

Kërkimi 16-vjeçar për llojin “e humbur” të mollës ishte vetëm fillimi, njihuni me 82-vjeçari që kultivon mbi 700 lloje


Tom Brown është një gjuetar mollësh. Ai nuk ka një recetë për Red Delicious, Honeycrisp ose Pink Lady. Atij nuk i bën përshtypje një Fuji apo një McIntosh.

Sidoqoftë, nëse doni të flisni me të për një fidan Harper, sytë e tij shkëlqejnë. Brown, 82 vjeç, kërkoi për mollën e rrallë për 16 vjet përpara se të gjente frutin e pakapshëm.

“Më pëlqen të hetoj,” tha Brown, i cili me obsesion ndjek dhe rrit lloje të rralla të mollëve si një hobi.

Ai ka udhëtuar lart e poshtë në Apalashe duke kërkuar lloje të rralla të mollëve të tij të dashura, shumë prej të cilave ishin pothuajse të zhdukur.

“Këto mollë do humbeshin shpejt nëse nuk do merresha dhe nuk do përpiqesha t’i shpëtoja,” tha Brown, një inxhinier kimik në pension që jeton në një pemishte me mollë prej 10 hektarësh në Clemmons, N.C.

Disa nga fitoret e tij të mëdha përfshijnë gjetjen e Aunt Sally, Butter Cup, Big Boy, Black Ammit, Striped Virginia Beauty, Summer Sweet, Summer Treat, Tendersweet dhe Water Luscious.

“Ishte një emocion i madh gjetja e të gjitha atyre llojeve,” tha ai.

Gjatë ekspeditës së tij prej dekadash, Brown ka zbuluar më shumë se 1200 lloje, të cilat ai i ka përpiluar në një listë në faqen e tij të internetit, applesearch.org.

Shumë prej tyre vijnë nga “bibla” e mollës, botimi i vitit 1905 i “Nomenklaturës së mollës” të Departamentit Amerikan të Bujqësisë, një katalog që përmban informacion për më shumë se 7500 lloje tw mollëve.

“Ka shumë prej tyre që kam gjetur që nuk janë atje,” tha Brown, i cili u shkroi gazetave të vogla vendase duke kërkuar informacione për disa lloje të mollëve, dhe përmes pyetjeve të tij të përsëritura, lidhur me entuziastë të tjerë të harruar të frutave.

“Kam një pirg me katalogë të vjetër ushqimore dhe libra dhe literaturë historike me mollë që është të paktën 1 metër i lartë.”

Pasioni  i tij si gjuetar mollësh erdhi rreth 25 vjet më parë kur ai dhe gruaja e tij, Merrikay, ishin në një treg fermerësh në Winston-Salem, N.C., një të shtunë pasdite.

Brown vuri re një stendë që shiste mollë të trashëgimisë – lloje më të vjetra mollësh që kanë ekzistuar për breza të shumtë dhe shpesh janë unike në shijen, strukturën, madhësinë dhe formën e tyre. Disa kanë shije të pasur dhe të tjera kanë tul shumëngjyrësh.

Brown, i cili nuk e kishte menduar kurrë më parë frutin, ishte i intriguar. Ai nuk e kishte kuptuar se kishte kaq shumë varietete mollësh.

“Thjesht u magjepsa nga të gjithë emrat, ngjyrat dhe shijet e ndryshme,” kujton ai.

Brown bisedoi me shitësin e stendës së mollëve dhe mësoi se gjuetarët e mollëve eksplorojnë pemishte të vjetra dhe ferma të braktisura për të gjetur pemë molle që jepnin fruta të rralla.

Kjo është mënyra se si Brown u kthye te Harper’s Seedling, të cilin shitësi e kishte kërkuar, po pa rezultat, për vite me radhë. Brown, duke ditur pak për mollët në atë kohë, vendosi t’i bashkohej kërkimit.

“Fillova në mënyrë joformale ta kërkoja atë lloj,” tha ai, duke shtuar se kërkimi i tij shpejt u bë një përpjekje e përkushtuar.

Brown kishte mbjellë atë që ai mendonte se ishte një pemë Streaked June me vija në kopshtin e tij, dhe vite më vonë, ai kuptoi se nuk mund të kishte qenë Streaked June, sepse mollët piqeshin në fund të gushtit dhe jo në qershor. Ai i tregoi një nga mollët një eksperti, i cili i tha se dukej tamam si një fidan Harper.

“Kishte qenw pikërisht para meje për gjithë ato vite,” tha ai.

Megjithatë, ndërkohë, ai bëri shumë zbulime të tjera.

Ai gjeti mollën Jimbo në Avery County, N.C., mollën Juicy Fruit në Carter County, Tenn., dhe Vance Delicious në Franklin County, Va., ndër qindra të tjera.

Në kërkimet e tij, ai viziton fermerët, pemishtet e vjetra dhe pronarët e shtëpive me mollë në pronat e tyre. Ai gjeti pemë mollë historike që ishin të bollshme në fillim të shekullit të 20-të përpara se të vinte epoka moderne e prodhimit komercial të frutave.

“Për të marrë ndonjë ndihmë, ju duhet të trokisni në dyert e njerëzve,” tha Brown, duke shpjeguar se ai është afruar me shumë të huaj duke pyetur për mollët.

Destinacioni i tij më i frytshëm, tha ai, ka qenë Wilkes County, N.C., ku ka gjetur “burimin e madh” të llojeve të mollëve të vjetra, duke përfshirë American Beauty, Big Limb, Golden Twig dhe Striped Queen.

Procesi i Brown për gjetjen e mollëve të rralla fillon me kërkimin e llojeve të mollëve dhe se ku e kanë origjinën, më pas ai udhëton në ato vende për t’i zbuluar. Ai i kryqëzon gjetjet e tij me përshkrimet që janë shkruar në indekse dhe nëse mendon se ka një ngjashmëri, ai përpiqet të gjejë njerëz që mund të jenë të njohur me llojet e vjetra të mollëve në rajon.

Në disa raste, Brown u ka dërguar me postë mollët që ka gjetur te pesë nga ekspertët më të ditur të mollëve në Karolinën e Veriut dhe Virxhinia, për të vërtetuar njëjtësinë e frutave.

“Unë përpiqem të konfirmoj me njerëzit vendas që kanë njohuri për atë lloj të veçantë të mollës,” tha Brown.

“Unë kam qenë me të vërtetë me fat që pothuajse të gjitha mollët që kam gjetur, kishte ende njerëz të gjallë që i mbanin mend ato mollë dhe mund të ndihmonin me vërtetimin e tyre.”

Brown gjithmonë provon gjetjet e tij, të cilat ndonjëherë janë jashtëzakonisht të ëmbla ose shumë të tharta.

“Për çdo mollë të ëmbël, kishte ndoshta 12 të tharta,” tha ai.

Ndërsa llojet e mollës shpesh mund të përcaktohen përmes testimit të ADN-së, procesi është i ndërlikuar dhe i kushtueshëm. Brown tha se ai parapwlqen t’i bëjë gjërat në mënyrën e modës së vjetër, që, për të do të thotë të kryejë kërkime dhe intervista të pavarura.

“Nuk e kam ëndërruar kurrë që kishte kaq shumë lloje mollësh atje dhe njerëzit kanë qenë kaq mikpritës dhe të lumtur që më takuan dhe më ndihmuan,” tha ai.

Në kopshtin e tij, Brown rrit më shumë se 700 lloje mollësh të rralla. Kjo është më sfiduese nga sa mund të duket, sepse farat e mollës nuk prodhojnë gjithmonë të njëjtën shumëllojshmëri mollësh nga kanë ardhur.

Mollët rriten natyrshëm me pjalmim të kryqëzuar – që do të thotë se era ose bletët transferojnë polenin nga një bimë molle tek lulëzimi i një tjetre. Më pas, lulet bëhen fruta. Mollët kanë dy prindër gjenetikë, prandaj thjesht rimbjellja e farave nga një mollë nuk do të japë gjithmonë të njëjtin fryt.

Brown kërkon të “shpëtojë” llojet më të rralla të mollës duke marrë pak material nga pemët e mollëve që gjen dhe duke e përdorur atë për të farwzuar të njëjtat mollë. Qëllimi i tij, tha ai, është të ruajë një pjesë të historisë.

Duke përdorur drurin e farës, ai përsërit lloje specifike mollësh duke përdorur shartim ose duke shkrirë dy bimë së bashku. Ai vendos një pasardhës ose syth nga një pemë mëmë në nënshartesat e një tjetri. Nënshartesa përcakton madhësinë dhe forcën e pemës, dhe sythi do prodhojë të njëjtin lloj molle si pema nga ka ardhur.

“Mollët moderne prodhohen në të njëjtën mënyrë,” tha Brown.

Në kopshtin e Brown, Heritage Apples, ai shet pemë të rralla mollësh për 20 dollarë, me shpresën për të nxitur të tjerët që të vijojnë të rrisin dhe të ruajnë mollët antike. Fidanishtja e Heritage Apples përfshin Adam & Eve, Blush Pippin, Crow Egg, King Luscious dhe Winter Banana.

“Unë po përpiqem të rris sa më shumë pemë të jetë e mundur,” tha Brown, i cili ha një mollë të paktën çdo ditë.

Gjetja e mollëve të rralla, tha ai, po bëhet më e vështirë, pasi pemët historike të mollës po zhduken dhe njerëzit rrallë i rrisin mollët në oborret e tyre.

“Nuk mund të filloja sot dhe të bëja të njëjtën gjë përsëri; ishte në fund të një epoke,” tha ai. “Shumë nga pemët janë zhdukur.”

Megjithatë, Brown shpreson se të tjerët në komunitetin e ruajtjes do ndihmojnë në zgjerimin e përpjekjeve të tij për të ruajtur mollët antike që ai ka zbuluar.

Ai nuk është i vetëm në kërkimin e tij për të gjetur dhe ruajtur mollët e vjetra; për shembull, David Benscoter, një ish-hetues kriminal, bashkëthemeloi Projektin Lost Apple, një organizatë jofitimprurëse që synon gjetjen e llojeve të vjetra të mollëve që supozohet se janë zhdukur në Paqësorin Veriperëndimor.

Brown ka dhuruar më shumë se 105 lloje mollësh në Fermën Historike Horne Creek Living në Pinnacle, N.C., e cila ka kopshtin e saj të trashëgimisë së mollëve.

Çdo vit, Brown merr pjesë në festivale dhe drejton një ekspozitë për të përhapur fjalën për punën e tij. Ai përzihet me kopshtarët e tjerë të trashëgimisë dhe mbush fletoret e tij të rregulluara me informacione të lidhura me mollën që mëson në mbledhje.

“Është diçka që më pëlqen”, tha ai, duke shtuar se nuk ka plane të ndalojë gjuetinë e tij për më shumë mollë historike.

Deri më tani, molla e parapëlqyer e trashëgimisë së Brown që ka gjetur quhet “Sweet Pumpkin”, e cila është e lëngshme, e sheqerosur dhe pak e thartë.

“Por në të vërtetë,” vijoi Brown, “mund të thuash se molla ime e parapëlqyer është ajo që po kërkoj, por nuk e kam gjetur ende.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani