21-vjecari i cili drejtonte mjetin “Mercedes Benz”, që përplasi paraditen e sotme një çift të rinjsh pranë Kryeministrisë, është arrestuar mbrëmjen e sotme nga policia.
I riu është identifikuar si Jorgaq Thëngjilli, banues në kryeqytet. Sipas bluve, i riu i është nënshtruar testeve përkatëse dhe ka rezultuar se nuk kishte qenë nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike.
Çifti i të rinjve u dërguan me shpejtësi në spitalin e Traumës pas dëmtimeve të marra.
Njoftimi
“Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasin J. Th., 21 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Ky shtetas, ditën e sotme, në rrugën “Ismail Qemali”, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, dyshohet për shkak të shpejtësisë mbi normat e lejuara, dhe ka aksidentuar shtetasit D. K., dhe K. D., të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Drejtuesi i automjetit i është nënshtuar testit me “Drager” dhe “AquilaScan” dhe ka rezultuar që nuk kishte konsumuar pije alkoolike, apo lëndë narkotike. Ky shtetas është ndëshkuar më përpara për mosrregullim shpejtësie në qendrat e banuara. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”