Vendosni fjalën kyçe....

Egjipti do nisë indeksin islamik të aksioneve në bursë


Një indeks i ri në përputhje me Sheriatin pritet të fillojë në Bursën Egjiptiane (EGX) brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, tha kryetari i EGX Ahmed El Sheikh për mediat rajonale të hënën.

Kompanitë që dëshirojnë të përfshihen në indeks do duhet të sigurojnë që veprimtaritë e tyre, si dhe praktikat e tyre financiare dhe të kontabilitetit, të jenë në përputhje me dispozitat e ligjit islamik të Sheriatit, sipas El Sheikh.

Procesi do udhëhiqet nga Komiteti i Mbikëqyrjes së Sheriatit të Autoritetit të Rregullimit Financiar. EGX është në bisedime me deri në katër kompani të sektorit privat të mesëm për regjistrim të mundshëm në indeksin e ri, tha El Sheikh pa dhënë asnjë hollësi të mëtejshme.

Indeksi i përputhshëm me Islamin pritet të tërheqë investitorë të rinj, të rrisë vëllimet e investimeve në bursë dhe të përmirësojë sektorin financiar të vendit.

Nisja e indeksit  thuhet se vjen me kërkesën e investitorëve që dëshirojnë të investojnë në aksionet e kompanive, bizneset e të cilave janë në përputhje me ligjin islamik.

Sistemet financiare në përputhje me Sheriatin krijojnë një alternativë të përshtatshme për tregtimin tradicional të aksioneve.

Për shkak se çdo veprimtari që përfshin marrjen e të ardhurave nga interesi është i ndaluar në Islam, transaksionet financiare duhet të lidhen me një aktiv aktual. Ato gjithashtu nuk mund të lidhen me veprimtari të ndaluara nga ligji i Sheriatit, si bixhozi apo alkooli.