Presidenti Joe Biden i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë një telefonate të hënën, se një pauzë treditore e luftimeve mund të ndihmojë në sigurimin e lirimit të disa pengjeve, njoftoi portali Axios të martën, duke cituar dy zyrtarë amerikanë dhe izraelitë.
Portali Axios citon zyrtarin amerikan se sipas një propozimi, që po diskutohet mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Katarit, Hamasi do të lirojë 10-15 pengje dhe pauza do të përdoret për identifikimin e të gjitha pengjeve dhe përpilimin e një liste me emrat e të gjithë individëve që po mbahen nga Hamasi.
Përmes një deklarate të hënën, Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden dhe zoti Netanyahu diskutuan “mundësinë e pauzave taktike për t’u ofruar civilëve mundësi për t’u larguar në mënyrë të sigurt nga zonat e luftimeve, për t’u siguruar që ndihma po arrin tek civilët në nevojë dhe për të mundësuar lirimin e mundshëm të pengjeve”.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për të komentuar lidhur me raportin e portalit Axios.