Vendosni fjalën kyçe....

Energjia, Shqipëria eksportuese neto, prodhoi 13% më shumë se konsumi në 9-mujor


Viti 2023 ka rezultuar me një panoramë krejt të ndryshme nga viti 2022 sa i takon sektorit energjetik.

Të dhënat zyrtare të raportuara nga kompanitë publike tregojnë se prodhimi i energjisë ishte 13 për qind më i lartë sesa konsumi në vend. Konkretisht në janar-shtator, prodhimi neto i energjisë ishte 6.6 milionë MWh teksa konsumi ishte 5.88 milionë MWh.

Kjo situatë ka bërë që diferencat në prodhim të shiten në tregun e lirë nga e cila kompanitë publike morën rreth 36 milionë euro deri në mes të vitit ndërkohë që një sasi tjetër energjie të depozitohet. Këtu flasim për prodhimin që vjen nga kompania publike e gjenerimit KESH si dhe prodhuesit me përparësi të energjisë që sasinë e tyre e shesin me çmimin 10 lekë/kWh tek shteti.

Vetë Korporata nga kaskada e Drinit ka prodhuar në janar-shtator mbi 60 për qind të totalit të energjisë së prodhuar në vend ndërkohë që pjesa tjetër i takon prodhuesve të pavarur si dhe koncesionarëve të vegjël deri në 15 MË kapacitet të instaluar.

Kaskada e Drinit e cila thuajse gjatë gjithë vitit të shkuar ishte nën minimalen historike për shkak të kushteve hidrike aspak të favorshme këtë vit është shfaqur më e qëndrueshme. Niveli i hidrocentralit më të madh të kësaj kaskade gjatë vitit 2023 ka qenë mbi mesataren historike duke rënë vetëm në muajin shtator nën këtë nivel.

Konkretisht në shtator niveli i Fierzës ishte 270.8 meta teksa mesatarja historike për këtë muaj është 275.33 metra. Sërish ky nivel ishte më i lartë se minimalja historike që rezulton 253.6 metra.

KESH nga totali i prodhimit të tij i ka kaluar Furnizuesit të Tregut të Lirë që është pjesë e OSHEE Group të paktën 75 për qind të totalit të energjisë.

Ndërkohë Operatori i Sistemit të Transmetimit gjatë 9-mujorit ka arritur të blejë përmes procedurave në tregun e lirë një sasi energjie prej 1 milionë MWh që i ka shërbyer për të mbuluar humbjet në rrjetin e tij.

Prodhimi nga impiantet fotovolatikë vijon ende të mbetet një fraksion i papërfillshëm në totalin e prodhimit të energjisë në vend.

Sipas të dhënave zyrtare në 9 muaj u prodhua 50.5 mijë MWh energji nga subjekte që kanë kontrata me kompaninë publike FTL. Kjo përbën vetëm 0.75 për qind të totalit të energjisë së prodhuar në vend në këtë periudhë./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor