Ministri i Financave Ervin Mete tha në Komisionin e Ekonomisë se për vitin 2024 pritet të ulet borxhi nën 60%, por evidentoi si shqetësim normat e larta të interesit.
Ai tha se Shqipëria mund të dalë përsëri në tregjet ndërkombëtare për të emetuar një tjetër eurobond në vitin 2024, për të financuar borxhin publik të vendit.
“Nuk përjashtohet mundësia gjithashtu e avancimit gjatë vitit 2024 të daljes me Eurobond në tregjet ndërkombëtare, e cila është parashikuar të realizohet në vitin 2025, kjo për arsye të minimizimit të riskut të ri financimit të vitit 2025”, tha Mete.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete tha në Komisionin e Ekonomisë se rritja e normave të interesit mund të ndikojë në shlyerjen e borxhit pasi rrit kostot, për këtë arsye në buxhet është caktuar edhe fondi i kontigjencës.
“Në buxhetin e vitit 2024 janë parashikuar rreth 60.9 miliardë Lekë shpenzime për interesa të borxhit të brendshëm dhe të jashtëm dhe 5.3 miliardë Lekë kontigjencë, për të përballuar rritjen e shërbimit të borxhit që mund të burojë nga rritja e normave të interesit apo edhe prej luhatjes së kursit të këmbimit”, tha Mete.
Në projektbuxhet është parashikuar marrja e huasë edhe në tregun e brendshëm.
“Sa i takon financimit neto të vitit 2024, në skenarin bazë, nevoja për financim neto nëpërmjet huamarrjes është rreth 34.5 miliardë lekë”, tha ministri.
Projektbuxheti parashikon që vitin e ardhshëm borxhi publik të zbresë nën nivelin 60% të PBB-së, për herë të parë që nga viti 2011.