Presidenti Joe Biden i bëri thirrje Izraelit të ndërmarrë “veprim më pak ndërhyrës” në spitalin al Shifa në Gaza, duke rritur presionin për të pakësuar viktimat civile ndërsa forcat izraelite afrohen.
Agjencia kryesore e Kombeve të Bashkuara që vepron atje tha se operacionet humanitare do ndërpriten në mënyrë efektive në 48 orët e ardhshme për shkak të mungesës së karburantit. Hezbollahu dhe trupat izraelite shkëmbyen zjarr mbi kufirin libanez.
Forcat izraelite vijuan me sulmin kundër Hamasit. IDF-ja kreu bastisje në veri të Gazës në periferi të kampit të refugjatëve Shati. Të shtëna me armë zjarri vijuan gjithashtu në afërsi të spitalit Al-Quds në qytetin e Gazës.
Spitali Al-Shifa në Gaza “duhet të mbrohet” pasi luftimet rreth objektit qendror mjekësor janë shtuar ditët e fundit, tha Presidenti Biden.
Biden u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të hënën se ishte “shpresa dhe pritshmëria e tij që do të ketë më pak veprime ndërhyrëse të ushtrisë” rreth spitalit. Ai tha se SHBA-ja kishte diskutuar çështjen me udhëheqësit në rajon, si dhe një përpjekje për të ndalur armiqësitë për të mundësuar lirimin e të burgosurve.