Vendosni fjalën kyçe....

“Inflacioni normalizohet në 2024-ën”, Rama: Rritje të ndjeshme pagash do ketë edhe në sektorin privat


Kryeministri Edi Rama theksoi nga Dibra ku po mbahet Asambleja e Zgjeruar e PS-së se inflacioni do të normalizohet plotësisht në 2024. Ai theksoi se me buxhetin e vitit që vjen, do të ketë rritje historike për mësuesit, infermierët dhe kategori të tjera, që sipas të cilit, kanë ardhur si rezultat i forcimit të ekonomisë.

Në një vend sot që deri në fund të muajit tetor numëronte 9 milionë turistë brenda vitit, në një vend ku aeroporti i Tiranës ka kapërcyer aeroportin e Beogradit që historikisht ka qenë aeroporti rajonal i Ballkanit. Në një vend ku nëse shohim çfarë thonë organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, Shqipëria ka një nga ekonomitë më rezistente të rajonit. Shqipëria në rajon ka që prej momentit kur ka filluar kriza e çmimeve si rezultat i luftës, ka inflacionin më të ulët në rajon dhe vitin e ardhshëm norma e inflacionit do të jetë e normalizuar plotësisht, 2-4 për qind.

Në një vend ku Leku është i barabartë me Euron, që nëse ne e kemi rritur pagën minimale 400 mijë lekë, paga minimale është 400 euro. Nuk ka qenë kështu më parë sepse euro ishte më e fortë se leku. Sot jemi një me një. Sepse ekonomia është rezistente dhe rruga e ngjitjes është në një nivel tjetër. Nuk jemi në majën ku duhet të ngjitemi që ta konsiderojmë të kryer misionin e kësaj faze të historisë së pluralizmit dhe kalimit nga diktatura në demokraci por në një nivel tjetër. Pse jemi në nivel tjetër?

Në buxhetin për 2024, do të rrisim pagat e mësuesve më shumë se asnjëherë më parë, të infermierëve, e punonjësve të rendit, e ushtarakëve, e të gjithë punonjësve të shtetit dhe në mesin e vitit të ardhshëm, paga mesatare në Shqipëri do të jetë 900 euro. Janë 400 milionë euro që do të shkojnë për pagat plus. Kjo vjen si rezultat i faktit që kemi forcuar bazën e ekonomisë, kemi zgjeruar burimet dhe rritur të ardhurat, duke rritur mundësitë për të shpërndarë shumë më shumë, ashtu sikundër edhe në sektorin privat rritja e pagave është e ndjeshme dhe do të jetë më e ndjeshme vitin e ardhshëm. Dua t’ju them, sidomos atyre në emigracion, se ata e dinë më mirë, që sot në Evropë ka mbaruar koha kur shkoje dhe bëje një punë të zakonshme, dhe në fund të muajit kishe mundësi të kurseje dhe t’i çoje dhe familjes. Nuk mbetet më asgjë në fund të muajit për ata që bëjnë një punë të zakonshme. “, u shpreh Rama.