Vendosni fjalën kyçe....

Danimarka propozon “taksë të gjelbër” për të gjitha fluturimet


Danimarka ka njoftuar një propozim të ri për të zbatuar një “taksë të gjelbër” për të gjitha fluturimet në një përpjekje për të financuar një tranzicion të qëndrueshëm të energjisë për udhëtimet e saj ajrore të brendshme.

I publikuar të enjten, plani nga vendi skandinav do t’i tarifojë pasagjerët rreth 9 dollarë për fluturimet brenda Evropës, 35 dollarë për fluturimet në distanca të mesme dhe 56 dollarë për fluturimet në distanca të gjata deri në vitin 2030. Politika do hyjë në fuqi duke filluar nga viti 2025.

Gjysma e të ardhurave nga “taksa e gjelbër” – e cila pritet të sjellë rreth 1.2 miliardë krona (160 milionë euro) – do përdoret për të mbështetur një tranzicion që të gjitha fluturimet e brendshme të përdorin 100 për qind karburante “miqësore” me mjedisin deri në vitin 2030.

Vendi planifikon të ketë të parën rrugë të fluturimit të brendshëm me karburant tërësisht të gjelbër në funksionim në vitin 2025. Një pjesë tjetër e të ardhurave do mbështeste rritjen e pensioneve për qytetarët e moshuar.

Në nivel global, industria e aviacionit përbënte 2 për qind të të gjitha emetimeve të dioksidit të karbonit të lidhura me energjinë në vitin 2022, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Para pandemisë, ky numër ishte edhe më i lartë.