Vendosni fjalën kyçe....

Dy nga yjet e “Friends” reagojnë për ndarjen nga jeta të Matthew Perry-t


Në “Friends”, Matthew Perry dhe Matt LeBlanc njiheshin si miqtë më të mirë Chandler Bing dhe Joey Tribbiani – por jashtë ekranit, aktorët kishin gjithashtu një marrëdhënie të ngushtë.

Pas vdekjes së Perry-t në moshën 54-vjeçare më 28 tetor, miqtë e “Friends” preferuan të qëndronin në heshtje, por pak orë më parë, Matt LeBlanc dhe Courteney Cox kanë reaguar për herë të parë.

LeBlanc ka shpërndarë një postim në Instagram me disa foto të tyre së bashku, duke shkruar;

Me zemër të thyer të them lamtumirë! Kohët që kemi kaluar së bashku janë sinqerisht ndër kohët e preferuara të jetës sime. Ishte nder të ndaja skenën me ty dhe të të quaja miku im. Unë gjithmonë do të buzëqesh kur të mendoj për ty dhe nuk do të të harroj kurrë. Kurrë! Hapi krahët dhe fluturo vëlla, më në fund je i lirë. Shumë dashuri! Dhe supozoj se po mban 20 dollarët që më ke borxh.

Në postim, LeBlanc përfshiu foto nga “Friends”, ku ata luajtën nga viti 1994 deri në 2004-ën, së bashku me Jennifer Aniston, David Schwimmer, Lisa Kudrow dhe Courteney Cox.

Pas vdekjes së Perry-t, fansat e serialit u dyndën në apartamentin në lagjen West Village të qytetit të Nju-Jorkut, që u përdor në pamjet e jashtme për shfaqjen. Disa fansa lanë lule dhe tabela në rrugë, ndërsa të tjerë ndanë dashurinë e tyre për Perry-n në rrjetet sociale.