Vendosni fjalën kyçe....

OKB: Izraeli të mos përdorë ujin e pijshëm si armë luftë


Një zyrtar i OKB-së për të drejtat e njeriut i ka bërë thirrje Izraelit të ndalojë përdorimin e ujit si “armë lufte” në Gaza, duke theksuar të premten se mungesa e karburantit në enklavë po pengon sigurimin e ujit të pastër.

“Çdo orë që kalon ndërsa Izraeli pengon sigurimin e ujit të pijshëm në Rripin e Gazës, në shkelje të pacipë të ligjit ndërkombëtar, i vë banorët e Gazës në rrezik të vdesin nga etja dhe sëmundjet që lidhen me mungesën e ujit të pijshëm të sigurt”, tha Pedro Arrojo-Agudo, raportuesi special i OKB-së për të drejtat e njeriut për ujë të pijshëm dhe kanalizime të sigurta.

“Këto viktima shpesh të padukshme të luftës janë të parandalueshme dhe Izraeli duhet t’i parandalojë ato,” tha ai. “Izraeli duhet të ndalojë përdorimin e ujit si armë lufte”, shtoi më tej. Arrojo-Agudo tha se donte t’i kujtonte Izraelit se parandalimi i ndërgjegjshëm i furnizimeve të nevojshme për ujë të sigurt nga hyrja në Rripin e Gazës shkel ligjin ndërkombëtar humanitar dhe ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

Për ditë të tëra, organizatat humanitare duke përfshirë Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për refugjatët palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) kanë theksuar nevojën e karburantit në mënyrë që të operojnë stacionet e shkripëzimit dhe pompat e ujit në Gaza.

Sipas UNRWA, afërsisht 70% e njerëzve në Gaza tani po pinë ujë “të kripur dhe të kontaminuar”. Ujërat e zeza të papërpunuara gjithashtu kanë filluar të rrjedhin nëpër rrugë në disa zona pasi sistemet e depozitimit të mbetjeve të OKB-së ndikohen gjithashtu nga mungesa e karburantit.

Dehidratimi dhe sëmundjet e shkaktuara nga uji janë tani në rritje në Gaza për shkak të “konsumit të ujit të kripur dhe të ndotur nga burime të pasigurta”, paralajmëroi Arrojo-Agudo të premten.

“Së bashku me zhvendosjen masive të mijëra njerëzve ditët e fundit, ky është skenari i përsosur për një epidemi që do të ndëshkojë vetëm të pafajshmit, edhe një herë.”