Partia Demokratike ka vijuar prezantimin e amendamenteve që kërkon për buxhetin e vitit 2024.
Përmes deputeteve Oriola Pampuri dhe Andia Ulliri PD kërkoi dyfishim të fondeve për rininë dhe kompensimin e pronarëve.
‘Në projektligjin “Për Buxhetin e Vitit 2024”, të bëhet ndryshimi, si më poshtë vijon:
Neni 1/ Në projektbuxhet Neni 6, “Buxheti i fondit për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve për vitin 2024 është 5000 milion leke” bëhet: Buxheti i fondit për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve për vitin 2024 është 10.000 milion lekë”.
Neni 2/ Ky ndryshim pasqyrohet në të gjitha nenet, tabelat dhe anekset shoqëruese të ligjit. Problemet me pronësinë janë një nga faktorët që pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit, frenimin e investimeve, sidomos ato të huaja. Qeveria, për të disatin vit radhazi, nuk po jep atë qe ju takon ish-pronarëve. Madje, tejzgjatja e procesit të kompensimit të ish-pronarëve krijon vetëm efekte negative si dhe rrit korrupsionin e administratës publike në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Ky amendament ka për synim që të 2-fishojë fondet e akorduara nga qeveria për kompensimin e ish-pronarëve. Buxheti i fondit për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve për vitin 2024 është 5000 milion lekë ndërkohë kërkoj qe ky fond të shkojë në vlerën 10.000 milion lekë për vitin 2024.
Kjo do të ndihmojë që ky proces të mbyllet sa më parë por edhe kjo kategori të marrë atë çka i takon. Efekti financiar në Buxhetin e Shtetit do të përballohet nga ulja në të njëjtën masë e shpenzimeve operative të qeverisë, investimeve jo prioritare, kontratave koncesionare/PPP dhe shpenzime rikonstruksion zyrash dhe mobilim.’– tha Pampuri.
Ndërkohë deputetja Andia Ulliri, propozoi rritje të investimi për programet mbështetëse për rininë që të mos ikin jashtë. Ky amendament, sipas Ullirti, ka për synim që të 2-fishojë fondet që për zhvillimin e sportit dhe rinisë nga 576 milion lekë të shkojë në 1152 milion lekë.
‘Partia Demokratike e ka ngritur si shqetësim madhor buxhetin e korrupsionit që ka sjellë qeveria në Parlament. Për këtë arsye deputetët e PD kanë hartuar 8 amendamente të cilat janë depozituar zyrtarisht në Parlament. Unë kam propozuar amendament me synim të 2-fishimin e fondeve që parashikohen për zhvillimin e sportit dhe rinisë. Efekti financiar në Buxhetin e Shtetit do të përballohet nga ulja në të njëjtën masë e shpenzimeve operative të qeverisë, investimeve jo prioritare, kontratave koncesionare/PPP dhe shpenzime rikonstruksion zyrash dhe mobilim. Sot është momenti të tregojmë sa prioritet u japim të rinjve.’- tha Ulliri.