Vendosni fjalën kyçe....

Brigitte Macron thotë se përjetoi ankth të madh kur u lidh me Emmanuel-in 15-vjeçar


Bashkëshortja e presidentit francez Emmanuel Macron, Brigitte Macron, zbuloi ankthet e saj për marrëdhënien që nga ditët e para të takimit me liderin e ardhshëm francez, duke përfshirë shqetësimet se ai do “binte në dashuri me dikë të moshës së tij” pasi të largohej nga shkolla.

“Koka ime ishte një rrëmujë e vërtetë”, tha Brigitte Macron gjatë një interviste të rrallë, dhënë për gazetën “Paris Match”, dhe raportuar në Daily Telegraph.

“Emmanuel duhej të largohej për në Paris”, zbuloi Macron.

“I thashë vetes se ai do të dashurohej me dikë të moshës së tij. Nuk ndodhi.”

Diferenca në moshë e çiftit – ajo, 70 vjeç dhe ai, 45 – ka mbetur një temë e nxehtë për çiftin.

Brigitte Macron e trajtoi ndryshimin gjatë një interviste në vitin 2017 me “Elle France”, ku pohoi se “ka çaste në jetën tuaj ku duhet të bëni zgjedhje jetike.”

“Sigurisht, ne hamë mëngjes së bashku, unë dhe rrudhat e mia, ai me rininë e tij, por kështu është,” i tha Macron, revistës “Elle” në atë kohë.

“Nëse nuk do ta bëja atë zgjedhje, do kisha humbur jetën time. Kisha shumë lumturi me fëmijët e mi dhe, në të njëjtën kohë, ndjeva se duhej të jetoja “këtë dashuri” siç thoshte Prevert, për të qenë plotësisht e lumtur”.

Çifti u takua ndërsa Brigitte jepte mësime për dramë në shkollën Katolike Providence në Amiens. Vajza e saj ishte shoqja e klasës së Emmanuelit.

Intervista më e re, e përkthyer dhe raportuar nga Daily Telegraph e Mbretërisë së Bashkuar, zbulon se Macron vuajti nga ankthi për diferencën e moshës, e cila përfundimisht shkaktoi një skandal kur doli në dritë se ajo, një mësuese e atëhershme 40-vjeçare ishte fejuar me nxënësin e saj 15-vjeçar, Emmanuel.

Prindërit e Emmanuel-it vendosën menjëherë ta dërgonin në një shkollë me konvikt në Paris për pjesën e mbetur të studimeve, por kjo nuk e largoi atë nga marrëdhënia e tij me Brigitte.