Një gjykatë italiane ka dënuar më shumë se 200 anëtarë të një bande kriminale me një total prej 2200 vitesh burg, pas gjyqit më të madh mafioz në vend në tre dekada.
Gjatë gjyqit, i cili filloi në janar 2021 dhe u zhvillua në një bunker të ndërtuar për këtë qëllim në qytetin jugor italian të Lamezia Terme, më shumë se 400 avokatë përfaqësuan të pandehurit dhe rreth 900 dëshmitarë dhanë dëshmi.
Një trup gjykues prej tre gjyqtarësh, të cilët kishin diskutuar për fatin e 338 të akuzuarve që nga përfundimi i gjyqit më 16 tetor, dha vendimin të hënën. Gjykatës iu deshën 1 orë e 40 minuta për të dhënë vendimet e saj, raportoi Ansa.
Rreth 207 mafiozë u burgosën dhe më shumë se 100 u shpallën të pafajshëm. Koha totale e burgut përfshin pesë dënime të përjetshme dhe tre 30 vjeçare.
Midis të gjykuarve ishin 42 gra – një rekord për një gjyq mafioz – nga të cilat 39 u dënuan.
Shumë nga të pandehurit kishin pseudonime të larmishme ndërsa gjatë hetimit u kapën rreth 24,000 përgjime, sipas dëshmive të paraqitura gjatë gjyqit.
Të dënuarit përfshijnë deputetin e dikurshëm të Forza Italia, Giancarlo Pittelli; ish-shefin e policisë Giorgio Naselli; ish-oficerin e Policisë Financiare Michele Marinaro; ish-kryetarin e bashkisë Gianluca Callipo dhe ish-këshilltarët rajonalë Luigi Incarnato dhe Pietro Giamborino, sipas dokumentit të dënimit të parë nga CNN.
Mafiozët ishin të lidhur me grupin famëkeq të krimit të Italisë ‘Ndrangheta’ dhe u dënuan për grup mafioz, zhvatje, ryshfet dhe pesë vrasje.
Gjyqi u referua si Rinascita Scott, i quajtur sipas agjentit special të Shteteve të Bashkuara Scott W. Sieben, i cili u vlerësua për zbulimin e lidhjeve midis karteleve të Kolumbisë dhe ‘Ndrangheta’-s.