Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i Breçanit dhe shefit të krimeve në komisariatin nr 6, SPAK: Kontroll edhe në banesa, sekuestrohen para, automjete dhe armë zjarri



Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë në një njoftim zyrtar lidhur me operacionin e zhvilluar një ditë më parë, në të cilin u  lëshuan 11 urdhër-arreste, nga të cilat 4 janë ekzekutuar.

Mes të arrestuarve është Dedan Gjoni, shef i krimeve në komisariatin e Policisë numër 6, Erzen Breçani, ish-nëndrejtor i policisë së Tiranës, i cili u vu në pranga në afërsi të stadiumit “Air Albania”.

Më tej në njoftimin e SPAK, thuhet se po ashtu është ushtruar kontroll edhe në banesat e tyre, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete, telefona, armë zjarri të ndryshme.

“Më datën 20.11.2023 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, kanë ekzekutuar urdhrat për ekzekutimin e vendimit penal nr.124, datë 17.11.2023, për 4 shtetas, konkretisht për shtetasit E.B., B.M., D.Gj. dhe B.A.

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll në banesa dhe ambiente të tjera, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete, telefona, armë zjarri të ndryshme”, njofton SPAK.