Dhurata Çupi, Deputetja e Partisë Demokratike ka reaguar në lidhje me përjashtimin e deputetëve të opozitës në lidhje me kaosin në Kuvend.
Në një reagim në rrjetet sociale, Çupi shkruan se përjashtimi i deputetëve shkon kundër kërkesës së faktorit ndërkombëtar për dialog konstruktiv. Ndër të tjera ajo shprehet se ‘përjashtimet vetëm sa na nxisin në rrugën tonë të drejtë!’.
Reagimi i deputetes Dhurata Çupi:
Përjashtimi i deputetëve të PD shkon kundër kërkesës së faktorit ndërkombëtar për dialog konstruktiv në parlament dhe përmbushjen e kërkesave kushtetuese të opozitës.
Përmes përjashtimit të deputetëve që protestojnë kundër mohimit të të drejtave kushtetuese nuk i shërben rolit mbikqyrës të Parlamentit dhe, aq më pak, funksionimit normal të tij, siç kërkon ambasada e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Delegacioni i BE.
Për çfarë kanë ndodhur 47 përjashtime të deputetëve të opozitës që nga 5 tetori? Sepse kanẽ mbrojtur kushtetutën dhe nuk i janë nënshtruar qeverisë! Çfarẽ kẽrkojmẽ ne? Asnjë favor! Asgjë të paligjshme! Vetẽm tẽ drejtat tona kushtetuese për t’i shërbyer interesit publik:
- Ngritjen e komisioneve hetimore për kontrollin e qeverisë nga opozita.
- Heqjen dorë nga përpjekjet për emërimin e opozitës nga maxhoranca.
Vendi dhe shoqëria nuk mund të ketë asnjë të mirë, kur shkelen të drejtat e opozitës dhe akoma më keq, kur opozita hesht. Ne kemi vendosur të mos heshtim, por të veprojmë. Përjashtimet vetëm sa na nxisin në rrugën tonë të drejtë!