Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja e BE-ja hapin me Ukrainën çështjen e negociatave të paqes me Rusinë


Zyrtarët amerikanë dhe evropianë kanë filluar të bisedojnë në heshtje me qeverinë ukrainase rreth asaj se çfarë mund të sjellin negociatat e mundshme të paqes me Rusinë për t’i dhënë fund luftës, sipas një zyrtari të lartë amerikan dhe një ish-zyrtar të lartë amerikan të njohur me diskutimet.

Bisedat kanë përfshirë skica shumë të gjera të asaj nga e cila Ukraina mund të duhet të heqë dorë për të arritur një marrëveshje, thanë zyrtarët. Disa nga bisedimet, të cilat zyrtarët i përshkruan si të brishta, u zhvilluan muajin e kaluar gjatë një takimi të përfaqësuesve nga më shumë se 50 vende që mbështesin Ukrainën, duke përfshirë anëtarët e NATO-s, të njohur si Grupi i Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, thanë zyrtarët.

Diskutimet janë një njohje e dinamikës ushtarake në terren në Ukrainë dhe politikisht në SHBA dhe Evropë, thanë zyrtarët.

Ato filluan mes shqetësimeve midis zyrtarëve amerikanë dhe evropianë se lufta ka arritur në një ngërç dhe në lidhje me aftësinë për të vijuar ofrimin e ndihmës për Ukrainën, thanë zyrtarët. Zyrtarët e administratës Biden janë gjithashtu të shqetësuar se Ukrainës po i mbarojnë forcat, ndërsa Rusia ka një furnizim në dukje të pafundme, thanë zyrtarët.

Ukraina është gjithashtu duke u përballur me probleme me rekrutimin dhe së fundmi ka parë protesta publike për disa nga kërkesat e Presidentit Volodymyr Zelenskyy për rekrutim pa afat.

Dhe ka shqetësim në qeverinë e SHBA-së mbi rënien e vëmendje publike që ka marrë lufta në Ukrainë që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas gati një muaj më parë, thanë zyrtarët. Zyrtarët kanë frikë se ndryshimi mund ta bëjë më të vështirë sigurimin e ndihmës shtesë për Kievin.

Disa zyrtarë ushtarakë amerikanë kanë filluar privatisht të përdorin termin “ngërç” për të përshkruar betejën e tanishme në Ukrainë, me disa që thonë se ajo mund të varet se cila palë do ketë aftësinë të mbajë një forcë ushtarake më gjatë në terren dhe do ketë më shumë furnizime në municione.

Asnjëra palë nuk po bën hapa të mëdhenj në fushën e betejës, të cilën disa zyrtarë amerikanë e përshkruajnë tani si një luftë centimetrash. Zyrtarët gjithashtu kanë thënë privatisht se Ukraina ka të ngjarë të ketë kohë deri në fund të vitit ose pak më pas përpara se të fillojnë diskutimet urgjente rreth negociatave të paqes. Zyrtarët amerikanë kanë ndarë pikëpamjet e tyre për një afat kohor të tillë me aleatët evropianë, thanë zyrtarët.

“Çdo vendim për negociatat i takon Ukrainës”, tha në një deklaratë Adrienne Ëatson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Ne jemi të përqendruar të vijojmë të qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të Ukrainës, ndërsa ata mbrojnë lirinë dhe pavarësinë e tyre kundër agresionit rus.”

Një zyrtar i administratës vuri në dukje gjithashtu se SHBA-ja ka marrë pjesë me Ukrainën në diskutimet e kornizës së samitit të saj të paqes, por tha se Shtëpia e Bardhë “nuk është në dijeni të ndonjë bisede tjetër me Ukrainën rreth negociatave për momentin”.

Probleme rreth fuqisë punëtore

Presidenti Joe Biden ka qenë i përqendruar intensivisht në shterjen e forcave ushtarake të Ukrainës, sipas dy personave të njohur me këtë çështje.

“Fuqia njerëzore është në krye të shqetësimeve të administratës tani,” tha njëri prej tyre. SHBA-ja dhe aleatët e saj mund t’i sigurojnë Ukrainës armatim, tha ky person, “por nëse nuk kanë forca kompetente për t’i përdorur ato, kjo nuk sjell asgjë të mirë”.

Biden ka kërkuar që Kongresi të autorizojë fonde shtesë për Ukrainën, por deri tani, përpjekja ka dështuar të përparojë për shkak të rezistencës nga disa republikanë të Kongresit. Shtëpia e Bardhë ka bashkuar ndihmën për Ukrainën dhe Izraelin në kërkesën e saj më të fundit. Kjo ka mbështetje midis disa republikanëve të Kongresit, por ligjvënës të tjerë republikanë kanë thënë se do votojnë vetëm për një paketë ndihme vetëm për Izraelin.

Përpara se të fillonte lufta Izrael-Hamas, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë shprehën publikisht besimin se fonde shtesë për Ukrainën do kalonin në Kongres para fundit të këtij viti, ndërsa privatisht pranuan shqetësimet se sa e vështirë mund të ishte kjo.

Biden kishte siguruar aleatët e SHBA-së se Kongresi do miratojë më shumë ndihmë për Ukrainën dhe planifikoi një fjalim të madh për këtë çështje. Sapo militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor, fokusi i presidentit u zhvendos në Lindjen e Mesme dhe fjalimi i tij në Ukrainë u shndërrua në një fjalim të Zyrës Ovale se pse SHBA-ja duhet të mbështesë financiarisht Ukrainën dhe Izraelin.

A është Putin gati për të negociuar?

Administrata Biden nuk ka asnjë tregues se presidenti rus Vladimir Putin është gati të negociojë me Ukrainën, thanë dy zyrtarë amerikanë. Zyrtarët perëndimorë thonë se Putini ende beson se mund të “presë Perëndimin” ose të vijojë të luftojë derisa SHBA-ja dhe aleatët e saj të humbasin mbështetjen e brendshme për financimin e Ukrainës ose lufta për të furnizuar Kievin me armë dhe municion të bëhet shumë e kushtueshme, thanë zyrtarët.

Si Ukraina ashtu edhe Rusia po djersijnë për të pasur furnizime ushtarake. Rusia ka rritur prodhimin e fishekëve të artilerisë dhe gjatë dy viteve të ardhshme mund të jetë në gjendje të prodhojë 2 milionë predha në vit, sipas një zyrtari perëndimor. Por Rusia qëlloi rreth 10 milionë fishekë në Ukrainë vitin e kaluar, tha zyrtari, kështu që do duhet të mbështetet edhe në vende të tjera.

Administrata Biden ka shpenzuar 43.9 miliardë dollarë për ndihmën e sigurisë për Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë në shkurt 2022, sipas Pentagonit. Një zyrtar amerikan thotë se administratës i kanë mbetur rreth 5 miliardë dollarë për t’i dërguar në Ukrainë para se të mbarojnë paratë. Nuk do mbetej asnjë ndihmë për Ukrainën nëse administrata nuk do kishte thënë se kishte gjetur një gabim kontabël prej 6.2 miliardë dollarësh nga muajt e mbivlerësimit të pajisjeve të dërguara në Kiev.

Mbështetja publike zbehet

Progresi në kundërsulmin e Ukrainës ka qenë shumë i ngadaltë dhe shpresa se Ukraina do bëjë përparime të rëndësishme në fushën e betejës, duke përfshirë arritjen e bregdetit pranë vijave të frontit të Rusisë, po zbehet. Mungesa e përparimit të rëndësishëm në fushën e betejës në Ukrainë nuk ndihmon në përpjekjen për të ndryshuar prirjen rënëse të mbështetjes publike për dërgimin e më shumë ndihmave, thanë zyrtarët.

Një sondazh i Gallup i publikuar këtë javë tregon mbështetje në rënie për dërgimin e ndihmës shtesë në Ukrainë, me 41% të amerikanëve që thonë se SHBA-ja po bën shumë për të ndihmuar Kievin. Ky është një ndryshim domethënës nga vetëm tre muaj më parë, kur 24% e amerikanëve thanë se ndiheshin ashtu. Sondazhi zbuloi gjithashtu se 33% e amerikanëve mendojnë se SHBA po jep ndihmën e duhur për Ukrainën, ndërsa 25% thanë se SHBA-ja nuk po bën mjaftueshëm.

Ndjenja e publikut për të ndihmuar Ukrainën gjithashtu ka filluar të zbehet në Evropë. Si nxitje që Zelenskyy të marrë në konsideratë negociatat, NATO mund t’i ofrojë Kievit disa garanci sigurie, edhe pa u bërë zyrtarisht Ukraina pjesë e aleancës, thanë zyrtarët. Në këtë mënyrë, thanë zyrtarët, ukrainasit mund të siguroheshin se Rusia do pengohej nga një tjetër pushtim i Ukrainës.

Në gusht, këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, u tha gazetarëve: “Ne nuk vlerësojmë se konflikti është në ngërç”.

Në vend të kësaj, tha Sullivan, Ukraina po merr territor mbi një “bazë metodike, sistematike”.

Por një zyrtar perëndimor pranoi se nuk ka pasur shumë lëvizje nga asnjëra palë prej disa kohësh dhe me afrimin e motit të ftohtë do jetë e vështirë për Ukrainën ose Rusinë që ta thyejnë këtë model. Zyrtari tha se nuk do jetë e pamundur, por do jetë e vështirë.

Zyrtarët amerikanë vlerësojnë gjithashtu se Rusia do përpiqet të godasë përsëri infrastrukturën jetike në Ukrainë këtë dimër, duke u përpjekur të detyrojë disa civilë të durojnë një dimër të ftohtë pa ngrohje dhe energji.

Zyrtarët e administratës presin që Ukraina të dëshirojë më shumë kohë për të luftuar në fushën e betejës, veçanërisht me pajisje të reja, më të rënda, “por ka një ndjenjë në rritje se është tepër vonë dhe është koha për të bërë një marrëveshje,” tha ish-zyrtari i lartë i administratës. Nuk është e sigurt që Ukraina do ndërmerrte një tjetër ofensivë pranverore.

Një zyrtar i lartë i administratës hodhi poshtë çdo nocion të SHBA-së për të nxitur Ukrainën drejt bisedimeve. Ukrainasit, tha zyrtari, “janë në kohë për sa i përket motit, por nuk janë në kohë për sa i përket gjeopolitikës”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NBC

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani