Vendosni fjalën kyçe....

Partia e ekstremit të djathtë të Wilders arrin fitoren shokuese në Holandë


Populisti holandez i ekstremit të djathtë anti-BE, Geert Wilders, do fillojë të kërkojë partnerë koalicioni pas një fitoreje të madhe e të papritur në zgjedhjet e parakohshme me rezultatin që pritet të ketë pasoja të mëdha në Holandë dhe Evropë.

Një tifoz i kryeministrit euroskeptik të Hungarisë Viktor Orban, Wilders që njihet për qëndrimet e tij të forta anti-islam është zotuar të ndalojë të gjithë emigracionin, të ulë pagesat holandeze në Bashkimin Evropian dhe të bllokojë hyrjen e çdo anëtari të ri, përfshirë Ukrainën.

Duke mposhtur të gjitha parashikimet, Partia e tij e Lirisë (PVV) fitoi 37 vende nga 150, shumë përpara 25 vendeve të marra nga koalicioni Laburistë/Të Gjelbrit dhe 24 vendeve të Partisë Popullore Konservatore për Liri dhe Demokraci (VVD) të kryeministrit në largim Mark Rutte.

“Epoka Rutte përfundon me një revoltë populiste të krahut të djathtë që trondit Hagën deri në themelet e saj,” shkruan e përditshmja holandeze e qendrës së djathtë NRC.

Një koalicion i Partisë së Lirisë, VVD dhe partisë NSC e ligjvënësit centrist Pieter Omtzigt do kishte 81 vende, duke e bërë atë kombinimin më të dukshëm të mundshëm, por që ka të ngjarë të marrë ende muaj bisedimesh të vështira.

Asnjë nga partitë mund të mos pranojë të formojë një qeveri me idetë anti-BE të Wilders.

“Kam besim se mund të arrijmë një marrëveshje,” tha ai në fjalimin e tij të fitores të mërkurën vonë.

“Ne duam të qeverisim dhe do qeverisim.”

Fitorja e Wilders dërgon një paralajmërim për partitë kryesore në gjithë Evropën përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian qershorin e ardhshëm, të cilat ka të ngjarë të përplasen për të njëjtat çështje si zgjedhjet holandeze: emigracioni, kostoja e jetesës dhe ndryshimet klimatike.

“Evropë e re”?

“Holanda nuk është Francë,” reagoi shpejt ministri francez i Financave Bruno Le Maire, ndërsa pranoi se zgjedhjet holandeze treguan “frikën që po shfaqet në Evropë” mbi emigracionin dhe ekonominë dhe nevojën që qeveritë t’u tregojnë qytetarëve se politikat e tyre po japin fryte.

Zgjedhjet e Polonisë muajin e kaluar, të fituara nga një grup partish pro-evropiane kundër nacionalistëve të Ligj dhe Drejtësi (PiS), tregojnë se jo të gjitha vendet në rajon po shmangen djathtas, shtoi ai.

Por zëvendëskryeministri i Italisë dhe kreu i LEGA-s së djathtë, Matteo Salvini tha se votimi holandez tregoi se “një Evropë e re është e mundur”.

Vitin e kaluar, Italia formoi qeverinë e saj më të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore pas fitores në zgjedhje të Giorgia Melonit.

Fitorja e Wilders vjen dy muaj pas kthimit në pushtet të populistit po aq anti-BE Robert Fico në Sllovaki, i cili është zotuar të ndalojë ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe të shkurtojë emigracionin.

“Erërat e ndryshimit kanë mbërritur!”, tha Orban.

Wilders ka thënë vazhdimisht se Holanda duhet të ndalojë ofrimin e armëve për Ukrainën, pasi ai thotë se vendit i duhen armët për të qenë në gjendje të mbrojë veten.

“Ne do duhet të gjejmë mënyra për të përmbushur shpresat e votuesve tanë, për të rikthyer holandezët në vend të parë, ata janë numri një për ne”, tha Wilders.

Pas fitores së tij, ai tha se “Holanda do u kthehet holandezëve dhe se cunami i azilit dhe emigrimi do frenohet”.

Shqetësime

Organizatat islamike dhe marokene shprehën shqetësime për fitoren e Wilders. Myslimanët përbëjnë rreth 5% të popullsisë.

“Shqetësimi dhe frika janë të mëdha,” i tha agjencisë holandeze të lajmeve ANP, Habib el Kaddouri, i cili drejton një organizatë që përfaqëson marokenët holandezë.

“Kemi frikë se do na portretizojë si qytetarë të dorës së dytë.”

Të gjithë sytë tani janë te partnerët e mundshëm të qeverisë së Wilders, të cilët kishin shprehur dyshime serioze për të punuar me të gjatë fushatës, por tani ishin më të hapur pas fitores së tij.

Wilders dhe partia e tij nuk kanë qenë kurrë në qeveri.

“Ne jemi të gatshëm për të qeverisur,” tha Omtzigt i partisë NSC.

“Ky është një rezultat i vështirë. Ne do diskutojmë të enjten se në çfarë mënyre mund të kontribuojmë më mirë.”

Udhëheqësja e VVD-së Dilan Yesilgoz, e cila në fillim të kësaj jave tha se partia e saj nuk do bashkohej me një qeveri të udhëhequr nga Wilders, tha se tani i takon fituesit të tregojë se mund të marrë shumicën.

“Ne nuk jemi në gjendje të marrim drejtimin,” tha ajo.

Palët janë vendosur të takohen të enjten për të diskutuar se çfarë do bëjnë më pas. Të premten, kretët e partive do takohen për të vendosur për një ‘ndërmjetës’, një person jashtë partive i cili do dëgjojë nga secila parti se çfarë mundësish shohin dhe parapëlqejnë në bisedimet e koalicionit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani