Një qytetar ndihet i sigurt në vendin ku jeton, kur ka besim te policia lokale, ecën vetëm i pashqetësuar natën, nuk ka pasur raste të vjedhjes së pasurisë ose nuk është sulmuar apo grabitur.
Por, sa të sigurt ndihen shtetasit shqiptarë?! Shqipëria vlerësohet me 80 pikë në botë për sigurinë, sipas Indeksit të Ligjit dhe Rendit të Gallup për 2022. Sa më i lartë rezultati, aq më e lartë është përqindja e popullsisë që raporton se ndihet e sigurt.
Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët ndihen më të pasigurt (2021, 83 pikë).
Ne jemi të parafundit në Ballkan, duke lënë pas vetëm Maqedoninë e Veriut me 77 pikë. Kosova renditet ndër vendet ku njerëzit ndihen më të sigurt, me 90 pikë, Mali i Zi, me 86 pikë dhe Serbia, me 82 pikë.
Afërsisht shtatë në 10 njerëz në mbarë botën thonë se ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën aty ku jetojnë (71%) dhe kanë besim në policinë e tyre lokale (72%).
Sipas studimit të fundit të Gallup, me të dhënat e vitit të shkuar, rreth një në tetë (12%) deklarojnë se atyre ose një anëtari tjetër të familjes u ishte vjedhur prona vitin e kaluar, dhe një në 16 (6%) thanë se ishin sulmuar ose grabitur. Asnjë nga këto shifra nuk ka ndryshuar shumë midis 2021 dhe 2022.
Përqindja e njerëzve që thanë se ndjehen të sigurt duke ecur vetëm gjatë natës mbeti e pandryshuar nga një vit më parë dhe përqindja që u sulmuan ose u grabitën nuk ndryshoi për të pestin vit radhazi.
Ndërkohë, përqindja e njerëzve në vitin 2022 që thanë se kishin vjedhur pronë u rrit një pikë nga 11% në 2021.
Vetëm besimi i njerëzve në policinë e tyre lokale tregoi shenja rikuperimi pas një ngecje në 2021.
Besimi i njerëzve në policinë e tyre lokale filloi të rritet përsëri duke u rritur me dy pikë për të arritur një nivel të lartë numerik në 17 vitet që Gallup bën këtë indeks.
Rezultati i indeksit për botën në vitin 2022 ishte 83 nga 100 të mundshme – i pandryshuar nga viti 2021 dhe në thelb nuk ndryshon nga pikët që nga viti 2017. Rezultatet në nivel vendi në 2022 varionin nga 96 në Taxhikistan deri në 49 në Liberi.
Rezultati i ulët i Liberisë në indeks në vitin 2022 i atribuohet kryesisht përqindjes së lartë të banorëve që kanë qenë viktima të krimit dhe mungesës së besimit të tyre në policinë lokale. Shumica e liberianëve (53%) thanë se atyre ose anëtarëve të tjerë të familjes iu vodhën para ose prona vitin e kaluar, që ishte një nga normat më të larta në botë, së bashku me Sierra Leone (52%). Gjithashtu, më pak se gjysma e liberianëve (45%) shprehën besim në policinë e tyre lokale.
Taxhikistani, lideri aktual, pasoi vetëm Singaporin në indeks në vitin 2021. Përpara vitit 2022, Singapori kishte shënuar pikën më të lartë në indeks pothuajse çdo vit, përveç vitit 2020.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor