Vendosni fjalën kyçe....

Plani sekret, drejtuesit rusë dhe kinezë diskutojnë projektin e një tuneli Rusi-Krime


Drejtuesit e biznesit rusë dhe kinezë me lidhje me qeverinë kanë mbajtur diskutime sekrete mbi planet për të ndërtuar një tunel nënujor që lidh Rusinë me Krimenë me shpresën për të krijuar një rrugë transporti që do mbrohej nga sulmet nga Ukraina, sipas komunikimeve të përgjuara nga shërbimet e sigurisë të Ukrainës.

Bisedimet, të cilat përfshinin takime në fund të tetorit, u shkaktuan nga rritja e shqetësimeve ruse mbi sigurinë e një ure 17 kilometra përgjatë ngushticës së Kerçit që ka shërbyer si një linjë logjistike kryesore për ushtrinë ruse, por është bombarduar dy herë nga Ukraina dhe mbetet një objektiv i cenueshëm lufte.

Negociatat nënvizojnë vendosmërinë e Rusisë për të ruajtur kontrollin e saj në Krime, një gadishull që e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, si dhe varësinë në rritje të Moskës nga Kina si një burim mbështetjeje globale.

Ndërtimi i një tuneli pranë urës ekzistuese do përballej me pengesa të mëdha, sipas zyrtarëve amerikanë dhe ekspertëve inxhinierikë, të cilët thanë se një punë e një shkalle të tillë, ndoshta që kushton miliarda dollarë dhe kërkon vite për t’u përfunduar, nuk është tentuar kurrë në një zonë lufte.

Por pavarësisht pyetjeve në lidhje me zbatueshmërinë e planit, thanë ekspertët, Rusia ka arsye të qarta për ta vënë në zbatim. Duke mos arritur një fitore vendimtare në luftë, tha Alexander Gabuev, një ekspert për marrëdhëniet Moskë-Pekin në “Carnegie Russia Eurasia Center”, Rusia “përballet me rrezikun që Ukraina do përpiqet ta prishë urën e Kerçit edhe për shumë vite në vijim.

Projekti do përbëjë gjithashtu rreziqe politike dhe financiare për Kinën, e cila kurrë nuk e ka njohur zyrtarisht aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe kompanitë e së cilës mund të futen në grackën e sanksioneve ekonomike që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë vendosur Moskës.

Megjithatë, emailet e përgjuara tregojnë se një nga kompanitë më të mëdha të ndërtimit të Kinës ka sinjalizuar gatishmërinë e saj për të marrë pjesë. Mesazhet iu dhanë Washington Post nga zyrtarë ukrainas me shpresën për të ekspozuar projektin dhe përfshirjen e mundshme të Kinës.

Vërtetësia e mesazheve u konfirmua nga informacione të tjera të marra veçmas nga Washington Post, duke përfshirë dosjet e regjistrimit të korporatave që tregojnë se një konsorcium ruso-kinez që përfshin individë të përmendur në email është formuar së fundmi në Krime.

Emailet e qarkulluara mes zyrtarëve të konsorciumit javët e fundit përmendin takime me delegatë kinezë në Krime. Njëra e datës 4 tetor përshkruan Korporatën Kineze të Ndërtimit të Hekurudhave, CRÇ, si “të gatshme për të siguruar ndërtimin e projekteve të ndërtimit të hekurudhave dhe rrugëve të çdo kompleksiteti në rajonin e Krimesë”.

CRÇ, një kompani shtetërore, ndërtoi shumë nga rrjetet më të mëdha rrugore dhe hekurudhore në Kinë dhe ka krijuar lidhje thelbësore me Rusinë në vitet e fundit përmes projekteve duke përfshirë një zgjerim të sistemit të metrosë së Moskës që përfundoi në vitin 2021. Kompania nuk u përgjigj ndaj kërkesave për koment.

Një drejtues i lartë në Konsorciumin Ruso-Kinez, me qendër në qytetin e Krimesë, Sevastopol, kundërshtoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me projektin e tunelit kur u kontaktua nga një gazetar i Washington Post.

Vladimir Kalyuzhny, një biznesmen rus, i cili në dokumente identifikohet si drejtori i përgjithshëm i konsorciumit, e hodhi poshtë këtë çështje si “shumë të nxehtë” përpara se të deklaronte se nuk do t’i jepte asnjë informacion “medias armike” dhe të mbyllte papritur telefonin.

Përgjigja e tij ishte në kundërshtim me mënyrën se si propozimi është përshkruar në emailet e brendshme. Në një mesazh dërguar muajin e kaluar një zyrtari rus i cili shërben si një nga përfaqësuesit kryesorë të Krimesë në Moskë, Kalyuzhny tha se kishte “një letër nga partnerët tanë kinezë në lidhje me gatishmërinë e një prej kompanive më të mëdha në Kinë, CRÇ, për të marrë pjesë si kontraktor i përgjithshëm në ndërtimin e një tuneli nën ngushticën e Kerçit”.

Email-i iu drejtua Georgiy Muradov, i cili renditet si përfaqësuesi i përhershëm i Republikës së Krimesë tek presidenti rus Vladimir Putin. Muradov, i cili më pare ka shërbyer si ambasador i Rusisë në Qipro, nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Ukraina e ka deklaruar rimarrjen e rimëkëmbjen e Krimesë si një nga objektivat e saj kryesore të luftës dhe është në mes të një kundërofensivë të lëkundur që kishte për qëllim ndërprerjen e linjave logjistike të Rusisë në gadishull.

Propozimi i tunelit vjen teksa Rusia po shtyn përpara me projekte të tjera infrastrukturore në territoret që i ka pushtuar që nga viti 2014 ose ka marrë që nga pushtimi i vitit të kaluar. Pamjet e fundit satelitore kanë treguar seksione të reja hekurudhore përgjatë vijës bregdetare të Detit Azov, pjesë e një rruge tokësore të pushtuar që lidh gjithashtu Rusinë me Krimenë.

Ndërtimi përfshin kompani të lidhura me Arkady Rotenberg, një mik fëmijërie i Putinit, i cili grumbulloi pasuri të madhe përmes projekteve të mbështetura nga Kremlini, duke përfshirë Lojërat Olimpike Dimërore 2014 në Soçi. Oligarku 71-vjeçar ka fituar prona të gjera në Krime që nga aneksimi i paligjshëm i saj, kur u vendos për herë të parë nën sanksion nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së, thanë zyrtarët e sigurisë. Kompania e tij e ndërtimit, Stroygazmontazh, shërbeu gjithashtu si kontraktori kryesor në urën Kerç.

Dosjet e regjistrimit të konsorciumit tregojnë se gjashtë nga nëntë drejtorët themelues të organizatës nuk përmenden në dosjet publike, gjë që lejohet sipas ligjeve ruse të krijuara për të mbrojtur objektivat e sanksioneve perëndimore.

Emailet zbulojnë gjithashtu përpjekjet kineze për të ruajtur sekretin. Njëra thekson se CRÇ do marrë pjesë vetëm nën një “dispozitë të rreptë të konfidencialitetit të plotë” dhe se emri i kompanisë do zëvendësohet nga “një person tjetër juridik pa lidhje me kompaninë ” në çdo kontratë. Një email tjetër përmend një bankë kineze që është e gatshme të “konvertojë fondet që ka në dollarë në rubla për transferimin e tyre në Krime për të financuar projektin”.

Emailet citojnë diskutime të konsorciumit me një ekzekutiv të CRÇ të identifikuar si Xu Huaxiang, një emër që duket se përputhet me atë të një shtetasi kinez i cili renditet si zëvendëspresident dhe zëvendësmenaxher i përgjithshëm i krahut ndërkombëtar të kompanisë. Përpjekjet për të kontaktuar Huaxiang nuk ishin të suksesshme.

Duke pasur parasysh rreziqet e sanksioneve dhe sabotazhit, zyrtarët dhe ekspertët amerikanë shprehën habinë që CRÇ të rrezikonte përfshirjen.

“Do ishte e çuditshme që ose një konsorcium i firmave të mëdha kineze ose qeveria do mbështeste një projekt të tillë,” tha një zyrtar amerikan i përfshirë në politikën e sanksioneve, duke iu referuar Republikës Popullore të Kinës.

Projekti do dukej si një objektiv mjaft i lehtë për t’u shkatërruar nga ukrainasit. Zyrtari, si të tjerët, foli në kushte anonimiteti, duke përmendur ndjeshmërinë e temës.

Ekspertët e projekteve të mëdha të transportit ndërkombëtar thanë se ndërtimi i një tuneli nën ngushticën e Kerçit është teknikisht i realizueshëm dhe se Kina ka ekspertizën dhe pajisjet e nevojshme. Megjithatë, ata thanë se do ishte një ndërmarrje e madhe, e krahasueshme me një tunel midis Danimarkës dhe Gjermanisë që ka qenë në ndërtim për tetë vjet, që parashikohet të kushtojë më shumë se 8.7 miliardë dollarë dhe do ishte tuneli më i gjatë në Evropë kur të përfundon afër fundit të dekadës.

Ekspertët thanë se nuk ka gjasa që një tunel i Kerçit të mund të përfundojë në kohë për të ndihmuar Rusinë në përpjekjet e saj të luftës, por se Moska mund ta shohë atë si një investim afatgjatë, që synon të sigurojë një lidhje të sigurt me territorin që mund të kontestohet edhë në dekadat në vijim. Mbështetësit e projektit duket se janë të shqetësuar për atrofinë ekonomike që mund të ndodhë pa një kalim të sigurt.

Për Putinin, Krimea ka një rëndësi simbolike që e bën “të rëndësishme lidhjen e saj me Nënën Rusi”, tha Maria Shagina, një eksperte për Rusinë dhe sanksionet perëndimore në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike. Gjatë nëntë viteve të fundit, Rusia e ka bërë Krimenë të varur nga uji, energjia dhe linjat e komunikimit të lidhura me Rusinë. Një tunel, tha Shagina, do të ishte “një zgjatim fizik i narrativës” që synon Putini.

Nga ana e saj, Kina ndoshta do këmbëngulte në të paktën pronësinë e pjesshme të tunelit, duke shtuar inventarin e saj në zgjerim të infrastrukturës globale të porteve dhe transportit, thanë ekspertët. Kina gjithashtu mund të financojë projektin dhe të nxjerrë pagesa ose në tarifa ose nga eksportet ruse të naftës dhe gazit.

Puna nëntokësore mund të vijojë me rrezik të pakët, thanë ekspertët e inxhinierisë, por projekti do vendosë mijëra punonjës, pajisje të kushtueshme dhe kantiere të mëdha ndërtimi brenda rrezes së raketave ukrainase.

Për shkak të kërcënimit të sulmeve, thanë ekspertët, Rusia dhe Kina ndoshta nuk do jenë në gjendje të përdorin metodat më të reja të ndërtimit që përfshijnë anije gjigante gërmimi në sipërfaqen e ujit. Në vend të kësaj, ata nuk do kishin zgjidhje tjetër veçse të përdornin teknologjinë tradicionale të gërmimit të tunelit.

“Do ishte shumë e vështirë të sabotohej nëse nuk sulmohen hyrjet,” tha një inxhinier që ka punuar në disa nga projektet më të mëdha të tuneleve në botë. Ndërtimi i një tuneli përgjatë ngushticës së Kerçit ka të ngjarë të kushtojë të paktën 5 miliardë dollarë dhe do kërkojë që ushtria ruse të mbrojë “jo vetëm ngushticën, por edhe vendet e prodhimit që ju nevojiten” në breg, tha ai.

“Është një operacion me rrezik të lartë.”

VINI RE: Ky material është pronësi inteletuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani