Vendosni fjalën kyçe....

Peizazhe nga vende të ndryshme të Shqipërisë, çelet në presidencë ekspozita e piktorit Haliti


Në ambientet e Institucionit të Presidencës u çel ekspozita “Shqipëria ime” e piktorit Helidon Haliti. Ekspozita përfshinte 50 piktura akuarel të Mjeshtrit të Madh me peizazhe nga vende të ndryshme të Shqipërisë.

Presidenti Begaj i cili ishte në ekspozitë e vlerësoi përkushtimin dhe punët e artistëve, duke shprehur se një shoqëri nuk mund të mbartë kurrë vlerat themelore që gjenden në zemër të qenies njerëzore nëse nuk mbështet dhe nuk respekton artin apo krijuesit e tij.

Presidenti Begaj u shpreh për promovimin e artistëve të cilët i vlerësoi si “ambasadorët më të mirë te Shqipërisë”. Ai propozoi zgjerimin e hartës së qendrave të artit në të gjithë Shqipërinë, për të mos u mjaftuar vetëm me Tiranën.

“Institucioni i Presidencës është i hapur për ekspozita por do të gjykoja që ekspozita të tilla lëvizëse mund të bëhen edhe në qytete të tjera, sepse nuk duhet ta shohim vetëm Tiranën si kryeqendër të artit pasi dhe qytetet e tjera meritojnë të kenë vëmendjen tonë. Çelja e kësaj ekspozite me pamje nga viset shqiptare në një farë mënyre është jo vetëm kthimi i profesorit në Atdhe por edhe prezantimi i këtij arti patriotik”

Në çelje të ekspozitës morën pjesë nxënës dhe studentë të arteve pamore, artistë, studiues dhe personalitete të shumta të trupit diplomatik dhe të shoqërisë shqiptare.