Konferenca e Ipeshkvijve Spanjollë (CEE) njoftoi se ka miratuar një plan gjithëpërfshirës për dëmshpërblimin e atyre që janë viktima të dhunës seksuale. Ky plan përfshin aspekte psikologjike, sociale, shpirtërore dhe ekonomike. Viktimat janë kryesisht fëmijë dhe të rinj.
Qëllimi është të kompensohen të gjitha viktimat e abuzimit seksual, edhe në rastet kur autori i tyre ka vdekur ose nuk ka asnjë vendim gjykate. Kjo vlen edhe për rastet që janë parashkruar ose nuk mund të ndiqen më penalisht për arsye të tjera. Për dëmshpërblimin kishës i mjafton vetëm të krijojë bindjen se krimi ka ndodhur.
“Pretendimet do të shqyrtohen rast pas rasti.” shpjegoi Sekretari i Përgjithshëm i CEE-së, César García Magán. “Ne ndjejmë dhimbje dhe turp” dhe dëmshpërblimi duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”
César García Magán nuk dha hollësi për shumat e mundshme të dëmshpërblimeve apo nëse kisha po shqyrton mundësinë e shitjes së disa aseteve për të paguar kompensimet. “Në parim, ato (kompensimet) duhet të paguhen nga autorët që kanë kryer krimin dhe, nëse është e nevojshme, nga institucionet e përfshira. Për shembull, nëse autori ka vdekur, do të paguajë institucioni“, tha García Magán, raporton DW.
Vendimi i Konferencës së Ipeshkvijve përbën një pikë kthese. Deri tani Kisha Katolike nëSpanjë kishte paguar dëmshpërblime vetëm pas vendimeve përkatëse të gjykatës. Po ashtu më parë Kisha Katolike në Spanjë kishte refuzuar të paguante dëmshpërblim për viktimave, në rastet kur dhunuesi kishte vdekur, gjë që ndodh shpesh.
Shifra të ndryshme
Në qershor u publikuar një raport i Kishës Spanjolle, në të cilin thuhet se midis viteve 1945 dhe 2022 në institucionet kishtare janë abuzuar seksualisht nga 728 punonjës të kishës të paktën 927 të mitur.
Kurse sipas mediave spanjolle në Spanjë duhet të ketë më shumë se 200.000 vetë që kanë qenë pre e dhunës seksuale nga priftërinjtë. Konferenca e Ipeshkvijve e konsideron këtë shifër si të ekzagjeruar.