Ushtria e Izraelit tha të mërkurën mbrëma se Hamasi grupi radikal palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ka filluar t’i lirojë 12 pengje të tjera nga Rripi i Gazës në ditën e gjashtë të armëpushimit.
Ajo tha se dy pengjet e para u dërguan nga Gaza në Egjipt, ndërsa 10 të tjera pritet të lirohen së shpejti.
Kjo është hera e gjashtë e lirimit të pengjeve izraelite në përputhje me një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit.
Në këmbim, Izraeli pritet t’i lirojë 30 të burgosur palestinezë sonte më vonë.
Ujdia e armëpushimit pritet të skadojë të enjten herët në mëngjes. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë janë duke punuar për ta zgjatur atë edhe për disa ditë, në mënyrë që të mundësohet lirimi i pengjeve të tjera.