Vendosni fjalën kyçe....

Shtëpi që u mbijetojnë përmbytjeve, si e zbuloi arkitektja ‘materialin e përsosur’


Yasmeen Lari kaloi një karrierë katër dekadash duke projektuar struktura nga betoni, qelqi dhe çeliku që fituan çmime të shumta, përpara se të haste materialin e saj ideal.

Ajo Ishte në një kamp për refugjatët nga konflikti ushtarak në Luginën Sëat veriperëndimore të Pakistanit. Banorët atje po përpiqeshin të siguronin tulla dhe dru për të ndërtuar kuzhina të përbashkëta derisa ajo vuri re një korije bambuje aty pranë.

“Le ta përdorim atë,” kujton Lari, e cila në atë kohë kishte mbyllur praktikën e saj të arkitekturës për t’u përqendruar në punën humanitare.

“Nuk e kisha menduar kurrë të përdorja bambu në jetën time.”

Materiali funksionoi aq mirë sa gjatë dekadës së fundit, Heritage Foundation i Pakistanit, grupi që Lari filloi në vitin 1980 për të ruajtur arkitekturën tradicionale të vendit, ka ndërtuar rreth 85,000 struktura për pakistanezët e zhvendosur, duke përfshirë viktimat e shirave shkatërrues të musonit të vitit të kaluar.

Ajo fatkeqësi, përmbytja më e keqe në historinë e Pakistanit, la një të tretën e vendit nën ujë dhe shkatërroi më shumë se 2.1 milionë shtëpi. Mijëra strukturat prej bambuje që grupi i Larit kishte ngritur “të gjitha mbijetuan”, tha ajo.

Rindërtimi i shpejtë, i lirë dhe i mirë po bëhet një pyetje gjithnjë e më urgjente pasi ndryshimet klimatike po shtojnë fatkeqësitë natyrore. Zjarret dhe përmbytjet më ekstreme po shkatërrojnë komunitetet në mbarë botën. Por deri më tani, shumica e strehimoreve emergjente që shfaqen pas tyre priren të jenë të shtrenjta dhe joefikase.

Këto struktura të improvizuara nuk janë ndërtuar që të zgjasin, por shumë viktima të fatkeqësive përfundojnë duke jetuar në kampe të përkohshme për vite me rradhë, ndërsa presin që banesat më të përhershme të materializohen.

Rindërtimi është një sfidë veçanërisht e vështirë në vendet më të varfra, si Pakistani, që përballen me efektet më të rënda të ndryshimit të klimës, pavarësisht se emetojnë një pjesë të karbonit në botë.

Kështu që Lari po ndërton më shumë shtëpi bambuje. Një milion më shumë. Këto nuk janë strehimore për ndihma nga fatkeqësitë, këmbëngul ajo, por shtëpi rezistente ndaj fatkeqësive.