Vendosni fjalën kyçe....

Historia e çuditshme e artefakteve të lashta egjiptiane të zbuluara në Skoci


Kur lopata e një nxënësi skocez hasi një objekt të kuqërremtë në oborrin e konviktit të shkollës në vitin 1952, ai mendoi se kishte gjetur një patate. Por kishte gabuar. Ishte një skulpturë e kuqe ranore nga Egjipti i lashtë.

Ishte gjithashtu fillimi i një serie të çuditshme gjetjesh të lashta arkeologjike, që çuan në gjetjen e një grumbulli artefaktesh egjiptiane që më vonë përfunduan në Muzeun Kombëtar të Skocisë.

Dhe tani, studiuesit më në fund po zbulojnë se si artefaktet arritën në Skoci.

Historia e çuditshme mori dekada për t’u shpalosur.

Midis viteve 1950 dhe 1980, studentët në një shkollë me konvikt të vendosur në një rezidencë historike në Fife, Skoci, vijuan të pengoheshin nëpër objekte të lashta, duke përfshirë skulpturën 4000-vjeçare me gur ranor, një figurinë bronzi të një njeriu dhe vepra të tjera të rralla arti që mendohen se i përkasin periudhës nga dinastia e 12-të të Egjiptit.

Hulumtimet nuk e vërtetuan origjinën e tyre, kështu që ato u konsideruan një thesar kombëtar dhe iu dorëzuan muzeut kombëtar të Skocisë.

Tani, kuratorët skocezë mendojnë se e kanë zbardhur çështjen. Shtëpia ku u gjetën thesaret u ndërtua në shekullin e 18-të dhe përfundimisht u trashëgua nga Alexander Leslie-Melville, Lord Balgonie, i cili në vitet 1850 shërbeu si oficer në Luftën e Krimesë.

Një portret i asaj kohe mendohet nga disa të jetë fotografia e parë që portretizon shokun e shkaktuar nga shpërthimet në luftë, një term historik për atë që tani njihet si çrregullimi i stresit post-traumatik.

Lufta shkatërroi shëndetin e oficerit dhe në 1856 ai udhëtoi për në Egjipt me shpresën se klima e vendit afriakanoverior do e ndihmonte të shërohej.

“Gjatë kësaj periudhe në Egjipt, konsujt dhe tregtarët vizitonin hotelet ose varkat kalimtare që shisnin antikitete, kështu që është e mundur që objektet të jenë sjellë te Balgonie që dergjej në krevat teksa kurohej ose që motrat e tij të kenë mbledhur koleksionin,” sipas Muzeut Kombëtar të Skocisë.

Balgonie ishte vetëm 25 vjeç kur vdiq në 1857. Studiuesit tani besojnë se artefaktet mund të jenë shoqëruar me vdekjen e tij të dhimbshme, të vendosura në një ndërtesë shtesë, të harruara ose braktisura.

Sido që të jetë, thonë ata, ato janë dëshmi spektakolare e shkallës gjigante të një koleksioni antikiteti të shekullit të 19-të. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar zgjeroi perandorinë e saj gjatë gjithë epokës, shumë nga qytetarët e saj udhëtuan jashtë vendit dhe plaçkitën veprat  e lashta, dukepërvetësuar mijëra objekte të çmuara nëpërmjet grabitjeve, shkëmbimeve e dhuratave. Shumë prej tyre mbeten në Britani deri më sot.

“Ishte një sfidë emocionuese për të hulumtuar dhe identifikuar një gamë kaq të larmishme artefaktesh, duke përfshirë disa objekte të jashtëzakonshme,” tha në një njoftim për shtyp Margaret Maitland, kuratorja kryesore e Mesdheut të lashtë në Muzetë Kombëtare të Skocisë.

“Statuja e vogël e priftit prej bronzi është një formë relativisht e rrallë, ndërsa koka e statujës prej guri ranor është një kryevepër e skulpturës egjiptiane.”

Studiuesit do publikojnë historinë e plotë të zbulimeve në një numër të ardhshëm të revistës “Proceedings of the Society of Antiquaries of Scotland”, njoftoi muzeu.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani