Vendosni fjalën kyçe....

Vritet turisti gjerman në Paris, plagosen dy të tjerë


Një burrë ka vdekur dhe dy persona të tjerë janë plagosur, si pasojë e një sulmi me thikë dhe çekan, në një rrugë në qendër të Parisit.

Sulmi ka ndodhur afër Kullës Eiffel, pak para orës 21:00, të shtunën.

Është arrestuar një shtetas francez, 26-vjeçar, i njohur për autoritetet e sigurisë, dhe prokurorët kanë nisur hetimet.

Zyrtarët e kanë konfirmuar se burri i vrarë ka qenë shtetas gjerman.

Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, ka thënë se viktima, e lindur më 1999, ka qenë me gruan e tij, kur është sulmuar për vdekje.

Ai ka thënë se jeta e gruas është shpëtuar pas intervenimit të një shoferi taksie, dhe i dyshuari ka ikur afër Lumit Sena.

Burri, më pas, i ka sulmuar edhe dy njerëz tjerë, njërin në sy me çekan, ka thënë ministri.

Dy personat tjerë të plagosur janë trajtuar në emergjencë dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Darmanin ka thënë se i dyshuari është dëgjuar duke bërtitur “Allahu Akbar [Zoti është më i madhi]” dhe i ka thënë policisë së është i mërzitur sepse “shumë myslimanë janë duke vdekur në Afganistan dhe Palestinë”.

Ai ka thënë se i dyshuari ka qenë katër vjet në burg, pasi është dënuar për një tjetër sulm më 2016, dhe ka qenë në listën e vëzhgimit të shërbimeve të sigurisë.

Sipas ministrit, i dyshuari është përballur me çrregullime mendore në të kaluarën.